Ilustrim

Arrest shtëpiak ndaj 4 të dyshuarve për rrahjen në Fushë Kosovë

Gjykata e Prishtinës, njoftoi se ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e paraburgimit ndaj 4 të pandehurve për veprën penale lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje.

Sipas njoftimit, Gjykata katër të pandehurve S. T., O. T., M. T. dhe I. T., iu ka caktuar arrestin shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Gjykata njofton se të pandehurit e lartcekur me datën 29 prill në ‘Lagjen 28’ në Fushë Kosovë, rreth orës 21:55, pas mosmarrëveshjes me të dëmtuarin A. M., ishin përfshirë në rrahje e cila kishte përfunduar me lëndim të rëndë trupor.

Sipas Gjykatës, caktimi i masës së arrestit shtëpiak është masë adekuate për zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

Po ashtu Gjykata ka gjetur se nëse të pandehurit gjinden në liri ekziston rreziku se do të ndikojnë në të dëmtuarin A. M., si dhe në dëshmitarët e tjerë.

Tutje gjykata ka cekur si bazë të arrestit shtëpiak faktin se nëse të pandehurit gjinden në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.

Sipas njoftimit të Gjykatës, të pandehurit janë udhëzuar në të drejtën e tyre për të paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, për këtë vepër penale ka parapare dënim prej 6 muajve deri ne 10 vjet.