Sami Lushtaku, kryetar i komunës së Skënderajt. Foto: Kallxo.com

Arratisja e Sami Lushtakut nga QKUK, dëshmoi edhe polici i 6-të

Në gjykimin e 24 personave që akuzohen lidhur me rastin e arratisjes nga QKUK të Sami Lushtakut dhe të tjerëve, sot ka dëshmuar edhe Muhamet Cakiqi.

Zyrtari policor i Stacionit Jugu deklaroi se më 20.5.2014, pas orës 13:00, komandanti i stacionit i ka urdhëruar të shkonin së bashku me të në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe se gjatë rrugës i ka njoftuar se disa të burgosur janë arratisur nga QKUK.

“Kur kemi shkuar në oborrin e QKUK-së, togeri Arsim Shala dhe zyrtari Abedin Krasniqi kanë raportuar në lidhje me rastin dhe disa persona janë mbledhur në QKUK dhe në korridor e kemi parë një gardian të cilin eprori e ka pyetur se kush është në dhomë. Gardiani nuk e ka ditur se personi që e ruan a është në dhomë apo jo”, deklaroi dëshmitari Cakiqi.

Tutje, zyrtari policor tregoi se kanë hyrë në dhomë dhe se kanë vërtetuar se nuk kishte asnjë person aty.

Dëshmitari tha se kanë shkuar edhe në repartin e URL-së, se aty nuk kishte pasur gardian dhe se nuk kanë gjetur askënd.

“Kemi shkuar në repartin e Infektivës, kemi takuar një gardian aty, i cili menjëherë bashkëpunoi me neve. Në pyetjen e komandantit se a është brenda personi, gardiani është përgjigjur se nga dera nuk ka dalë askush, mirëpo kur kemi hyrë në dhomë kemi parë derën e  terasës hapur, e cila ka pasur dalje në oborr”, deklaroi dëshmitari Cakiqi.

Dëshmitari tutje tha se kur kanë qenë në Kardiologji, e kanë ndaluar një person me mbiemrin Geci dhe i kanë kërkuar të largohej nga korridori.

“Më vonë e kemi kuptuar se ndaj Sami Lushtakut është lëshuar urdhri për transferim në Qendrën e paraburgimit në Mitrovicë”, tha ai.

“Kur keni hyrë në dhomën time, a keni hyrë edhe në paradhomë?”, e pyeti i akuzuari Sami Lushtaku dëshmitarin, i cili u përgjigj se kishin kontrolluar në dy dhomat.

Seanca e radhës është caktuar për më 15 tetor.

Përveç Sami Lushtakut, në këtë rast të akuzuar janë edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg.

Historia e gjykimit

Më 17.11.2016 është ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale.

Më 28 gusht të këtij viti të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohen nga Prokuroria, madje i akuzuari Lushtaku aktakuzën e kishte quajtur politike.

Arratisja nga QKUK, Gjykata cakton datën e seancës ndaj Sami Lushtakut

Me datën 24 shtator, të akuzuarit dhanë fjalën hyrëse në këtë proces gjyqësor dhe është veçuar procedura ndaj Valon Behramajt.

Arratisja në QKUK: Prokurorja kërkon që Sami Lushtaku të shpallet fajtor, avokati kundërshton

www.kallxo.com