Arkiv - Rasti 'Arratisja nga QKUK', 10.03.2020 - FOTO KALLXO

Arratisja e Lushtakut nga QKUK-ja, shpallen të pafajshëm dy të akuzuarit tjerë

Emrush Thaçi dhe Nexhib Shatri, të akuzuar nga Prokuroria për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja, sot janë shpallur të pafajshëm nga gjykata.

Aktgjykimi  është shpallur në Gjykatën e Prishtinës, ku në mungesë të provave Thaçi dhe Shatri u liruan nga aktakuza.

Prokuroria pretendonte se nga mëngjesi i datës 20 maj deri në mbrëmjen e 22 majit 2015-të, Sami Lushtaku së bashku me Ismet Haxhën dhe Sahit Jasharin ishin arratisur nga objektet e QKUK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës Lushtaku, Jashari dhe Haxha ishin fshehur në lokacione të panjohura duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qenë në bazë të një vendimi të ligjshëm.

Sipas Prokurorisë qëllimi i arratisjes ishte mos ekzekutimi i vendimit të gjyqtarit të EULEX-it për transferimin e të akuzuarve nga Burgu i Dubravës në Burgun e Mitrovicës.

Ai sipas prokurorisë ishte arratisur derisa po mbante dënimin prej 12 vitesh për krime lufte në rastin “Drenica”.

Për këto akuza, më 4 prill 2020, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku u gjet fajtor për arratisjen nga burgu i Dubravës.

Me këtë rast, Gjykata i shqiptoi dënim me gjobë  prej 12 mijë eurove.

Kurse për arratisjen nga QKUK- ja, Lushtakut i ishte parashkruar vepra.

Fajtorë u gjetën edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena të cilët u dënuan me nga 1 mijë euro gjobë.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Mirëpo, ky vendim i Themelores ishte anuluar nga Gjykata e Apelit lidhur me vendimin ndaj Emrush Thaçit dhe Nexhib Shatrit, të cilët sot u liruan nga akuza.

Dënimi i Sami Lushtakut vërtetohet nga Apeli

Në bazë të këtij vendimi Gjykata e Apelit kishte vendosur që pjesën dënuese ndaj Sami Lushtakut lidhur me arratisjen nga burgu i Dubravës ta vërtetoj, ndërsa për pjesën liruese ndaj të akuzuarve Emrush Thaçi dhe Nexhip Shatri rasti është kthyer në rigjykim.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i gjeni duke klikuar në këtë  LINK.