Armend Selimi për 'Dosjën F' u dënua me 5 mijë euro gjobë

Armend Selimi pronar i firmës “Friends” është dënuar nga Gjykata e Prishtinës për veprën penale të mashtrimit me 6 muaj burgim, i cili është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë eurove.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Mirlinda Gashi zëdhënëse e kësaj gjykate, e cila po ashtu ka thënë se për veprën penale falsifikim të dokumenteve, Armend Selimi është liruar nga akuza për shkak se nuk është provuar se i njëjti e ka kryer këtë vepër penale.

Edhe Durim Ramadani e Zeqir Fetoshi, ish zyrtarë të OShP-së, të akuzuar në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë liruar nga akuza për shkak se nuk është provuar se e kanë kryer veprën që u ngarkohej.

Sipas aktakuzës të ngritur në prill të vitit 2016, rezulton se Selimi akuzohej për veprën penale të mashtrimit lidhur me produktet medicinale.

Aktakuza shpjegon se Selimi duke qenë pronar i firmës NPT “Friends” në Prishtinë, nga viti 2013 e deri në korrik të vitit 2014, kishte falsifikuar dokumente të cilat i kishte dorëzuar në AKPM me qëllim të marrjes së autorizimeve për të importuar produkte medicinale të cilat do t’i sillnin dobi pasurore.

Sipas aktakuzës dokumentet e dorëzuara në AKPM janë certifikatat EC. certifikatë e lëshuar nga TUV, certifikata menagment service TUV kinse me validitet deri më 23 nëntor 2015, EC certifikatë e lëshuar nga TUV kinse me validitet 22 maj 2014, certifikata menagment TUV kinse me validitet deri me 23 nëntor 2015 dhe tri certifikata tjera kinse valide deri në nëntor të 2015.

Aktakuza thotë se në bazë të këtyre dokumenteve, ishte mashtruar Ministria e Shëndetësisë duke lidhur kontratë në vlerë prej 290 mijë e 154 euro e 92 cent.

Ndërsa pika e dytë e aktakuzës ngarkon Durim Ramdanin e Zeqir Fetoshin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hetimet në këtë çështje penale kishin nisur më 18 dhjetor 2014 ndërsa akuza është ngritur më 20 prill 2016 në dispozitivin e parë të cilës, është ngritur vetëm vepra penale e mashtrimit ndërsa në dispozitivin e dytë, është ngritur vepra penale keqpërdorim i detyrës zyrtare mirëpo në arsyetimin e kësaj akuze flitet edhe për veprën penale falsifikim të dokumenteve, që prokurorja Dulina Hamiti nuk e ka përfshirë në dispozitivin e aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com.

Armend Selimi ishte arrestuar nga policia më 17 dhjetor 2014 për arrestimin e të cilit ishte transmetuar emisioni në Drejtësia në Kosovë i njohur si “Dosja F”.

KALLXO.com ka raportuar se oferta e kompanisë NTP “Friends” edhe pse u vlerësua e dyshimtë për falsifikim dokumentesh, kaloi të gjithë filtrat shtetërorë të prokurimit për ta fituar zyrtarisht tenderin me dokumentacion jovalid.

Kjo ofertë “përbiroi” nëpër prokurimin e Ministrisë së Shëndetësisë, Organin Shqyrtues të Prokurimit, Agjencinë Kundër Korrupsion, Njësitin për Luftim të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës dhe Agjencionin Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Keqpërdorimi do të mbetej i pavërejtur, sikur për këtë tender të mos vinte një informatë në platformën për raportim të korrupsionit në KALLXO.com dhe emisionin “Drejtësia në Kosovë” që më pas hulumtoi rastin dhe transmetoi storien.

Në këtë dosje të tenderit të MSh-së kompanitë duhej të garantonin se materiali dhe pajisjet medicinale do ishin cilësore dhe të prodhuara apo të regjistruara në Amerikë, Kanada, Japoni, Izrael, Australi, Turqi, dhe në vendet e BE-së.

Për ta dëshmuar se malli do vinte nga një vend i BE-së, kompania N.T.P. “Friends” në Ministrinë e Shëndetësisë kishte dorëzuar një autorizim i cili dëshmonte se pajisjet që do silleshin në Kosovë ishin të prodhuara nga kompania Johnsons & Friends. Sipas dokumenteve të dorëzuara në Ministri, kjo kompani ishte e regjistruar në Londër.

Kriter tjetër i tenderit ishte që kompanitë tenderuese duhej ta dëshmonin kualitetin e materialeve dhe produkteve të ofruara përmes certifikatës së cilësisë të lëshuar nga TUV-gjerman, një organizatë që kujdeset për cilësinë e produkteve mjekësore. Kompania “Friends” kishte dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë tri certifikata të TUV-it.

Pas hapjes dhe gjatë analizimit të dosjes, zyrtarët e prokurimit në MSh, kishin pasur dyshime rreth dokumenteve të kompanisë N.T.P. “Friends”. Autorizimi nga prodhuesi nuk kishte vulë dhe prodhuesi ishte regjistruar si fabrikë kineze.

Këto dyshime mjaftuan që zyrtarët e prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë ta shpallnin ofertën e “Friends”-it të papërgjegjshme.

Mirëpo, ishte Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, ai i cili pak kohë më vonë vendosi se ankesa e kompanisë N.T.P. “Friends” ishte e bazuar.

Së paku në 18 nga 40 lotet për të cilat ishte paraqitur ankesa nga “Friends”, OShP-ja kishte konsideruar se nuk ka falsifikim dokumentesh.

Përpos që 18 lote u kthyen për rivlerësim në Ministrinë e Shëndetësisë, OShP-ja e kishte dërguar edhe kërcënimin se: “nëse nuk zbatoheshin vendimet e saj, Ministria do dënohej me 5 mijë euro dhe zyrtarit të prokurimit do t’i merrej licenca”.

Pas kësaj, zyrtarët e prokurimit në MSh i ishin bindur urdhrit të OShP-së dhe ministri i asaj kohe Ferid Agani, e kishte nënshkruar kontratën me kompaninë N.T.P. “Friends”.

Pronarët e Kompanisë “Friends” mohuan dyshimet për falsifikim dokumentesh.

“Dëshirojmë të ju konfirmojmë se i gjithë dokumentacioni i “FRIENDS Medical” i dorëzuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë është origjinal, valid dhe lehtë i verifikueshëm”, thuhet në përgjigjen e kthyer nga N.T.P. “Friends”.

Pronarë të kësaj ndërmarrjeje janë Irena dhe Armend Selimi. Selimi edhe më parë ka pasur probleme me ligjin, pasi ishte arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime në tenderin e furnizimit me armë për Policinë.

Pajisje kineze “të veshura” me prejardhje angleze

Ekipi i “Drejtësisë në Kosovë” për të verifikuar vlefshmërinë e certifikatave të lëshuara nga TUV-i gjerman për produktet medicinale me të cilat N. T. P. “Friends” do ta furnizojë MSh-në, kërkoi qasje në dosjen e këtij tenderi.

Certifikata e parë e deponuar në Ministri të Shëndetësisë, thotë se titullar i saj është “Johnsons & Friends Group Corporation” me seli në Londër dhe është valide deri në vitin 2015. Por, në TUV-in gjerman shpjegojnë se e njëjta certifikatë kishte skaduar që në vitin 2012.

“Kjo certifikatë ka skaduar në tetor të vitit 2012, ndërsa sot, kjo certifikatë mban emrin e kompanisë kineze Enxhi Spenq”, patën thënë zyrtarët e TUV-it gjerman të kontaktuar nga “Drejtësia në Kosovë”.

Certifikata e kompanisë angleze në të vërtetë është zëvendësuar me një të re, e cila përpos numrit të ri serik tash e ka pronare kompaninë me seli në Kinë.

Edhe certifikata e dytë me të cilën kompania N.T.P. “Friends” e ka fituar tenderin për furnizim me material dhe pajisje mjekësore për listë esenciale, ka rezultuar të jetë e falsifikuar.

Ndërsa certifikata e tretë e “Friends”-it, për dallim nga dy të parat, të cilat rezultuan të falsifikuara, ka dalë të mos ekzistojë fare. Përgjigjja e TUV-it për të është: “Not Valid”.

Për Hysni Hoxhën, ish kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit autorizimet e kompanisë “Friends” ishin në rregull.

“Ne nuk kemi dyshu në autorizimin e operatorit ekonomik ankues, sepse i njëjti i ka plotësu të gjitha kërkesat që ka kërku autoriteti kontraktues. Dhe pikërisht për këtë dyshim, ne konform ligjit të Prokurimit e kemi kthyer lëndën në rivlerësim dhe ne kemi vërtetu ankesën e Operatorit Ekonomik vetëm për 18 lote, jo për aq sa është ankuar”, tha Hoxha.

Ekipi i “Drejtësisë në Kosovë” ka hulumtuar edhe bazën e të dhënave “Company House” ku regjistrohen bizneset e Britanisë së Madhe për të mësuar më shumë për Kompaninë “Johnson & Friends”.

Kjo kompani, sipas shënimeve në këtë bazë, është regjistruar tre muaj pasi që ka aplikuar në tender përmes partnerit të vet kosovar “Friends”, në pronësi të Irena dhe Armend Selimit.