Arbër Jashari: Realizimi i kërkesave të qytetarëve varet sa është menaxher i mirë kryetari i gjykatës

Arbër Jashari, avokat, në emisionin “Kallxo Përnime” ku po debatohet për zvarritjet e lëndëve civile në gjykata tha se gjendja është shume alarmante në sistemin e drejtësisë, pasi periudha kohore mesatare e prezantuar në analizën e BIRN-it mund të shkojë edhe me gjatë se kaq.

“Në sistem ka të çara, pavarësisht që kohëve të fundit është bërë jashtëzakonisht shumë, dhe po e shohim se këshilli i ri ka një energji për t’u marrë me probleme dhe i ka dhënë një imput të madh kësaj çështje, mirëpo ku është evidente që nuk është punu në këtë drejtim, nuk ka pasë vizion, varësisht prej kryetarit të gjykatës themelore, se a ka qenë një menaxher i mirë dhe e ka mbajtë stafin në kontroll, ai ka mujtë më shpejt me i realizu kërkesat e qytetarëve”, tha Jashari.

Jashari tha se kjo bëhet nga një lloj presioni që kryetarët i ushtrojnë këshillit, presion ky që Jashari tha se mund të bëhet në mënyrë formale përmes shkresave.

Një ndër faktorët që ndikon që lëndët në procedurën civile të zvarriten, sipas Jasharit është edhe se disa gjyqtarë nuk e kanë dhënë më të mirën e tyre, e kjo shpjegohet edhe me uljen e normës se lëndëve për gjyqtarë.

“Për ironi në Gjykatën e Apelit, viti më i suksesshëm ka qenë ai i pandemisë, atë vit janë bërë më pak padi, kanë ardhur me pas ankesa në Apel, dhe nëse shkon e këqyrë përformancën del se viti me i suksesshëm ka qenë viti i pandemisë”, shtoi ai.

KALLXO.com ka publikuar analizën qe tregon për zvarritjet e lëndëve civile në gjykata, dallimet mes kohëzgjatjes se trajtimit të këtyre lëndëve, si dhe llojet e  lëndëve civile që gjykatat janë më së shumti të ngarkuara.