FOTO ARKIV: Xhabir Zharku

Apeli vërteton vendimin për paraburgim ndaj Xhabir Zharkut

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Ferizajt për vazhdimin e paraburgimit ndaj Xhabir Zharkut edhe për dy muaj.

Mbrojtja e Zharkut kishte paraqitur ankesë në Gjykatë të Apelit ndaj vendimit për vazhdimin e paraburgimit.

“Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën kundër vazhdimit të paraburgimit dhe e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt”, deklaroi për KALLXO.com Albana Kelmendi, avokatja e Xhabir Zharkut.

Më 15 dhjetor 2019, Zharkut i ishte caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare në periudha të ndryshme kohore.

Xhabir Zharku ishte arrestuar në Aeroportin e Prishtinës në përpjekje për t’u larguar nga Kosova.

Me kërkesë të Prokurorisë së Ferizajt, më 14 janar 2020, Gjykata kishte vazhduar masën e paraburgimit ndaj Zharkut edhe për dy muaj.