Apeli vërteton dënimin për krime lufte ndaj në Zllatan Krstiqit dhe Destan Shabanaj

Dënimi me burgim prej 21 vjet e gjysmë ndaj Zllatan Krstiqit dhe Destan Shabanaj për krimet e kryera në Nerodime të Epërme është vërtetuar nga Gjykata e Apleit.

Apeli refuzoi ankesat  e Prokurorisë Speciale dhe avokatëve të të dënuarave si të pabazuar, duke lënë në fuqi dënimin prej 21 vjet e gjysmë.

Në mars të këtij viti Zllatan Krstiq dhe Destan Shabanaj ishin shpallur fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile në Nerodime të Epërme.

Zllatin Krstiq u dënua më 14 vjet e 6 muaj burgim ndërsa Destan Shabanaj u dënua me 7 vjet burgim.

Ndaj këtij aktgjykimi ankesë kishin paraqitur Prokuroria Speciale lidhur me lartësinë e dënimit ku kishte kërkuar dënim më të lartë ndaj Krstiqit dhe Shabanaj-t, ndërsa avokatët e të dënuarve ishin ankuar për shkelje procedurale, materiale dhe kishin kërkuar që çështja të kthehej në rigjykim për rivendosje.

Kolegji i Apelit i udhëhequr nga kryetari Burim Ademi dhe i përbërë nga anëtarët Afërdita Bytyçi dhe Tomisllav Petroviq kishin gjetur se ankesat ishin të pabazuara sepse aktgjykimi i shkallës së parë nuk kishte asnjë mangësi në aspektin procedural dhe material.

Apeli ka gjetur se çështja penale është vërtetuar dhe arsyetuar në përputhje me deklaratat e 16 dëshmitarëve, leximi i deklaratave të 2 dëshmitarëve, provat materiale si procesverbali i vendit të ngjarjes i datës 27 mars 1999,  CD-ja e vend shikimit të zhvarrosjes së pesë kufomave e datës 12 korrik 1999, kopja e protokollit nga Morgu i Prishtinës për pesë viktimat, raporti i vlerësimit të zhvarrosjes i datës 7 qershor 2019, si dhe raportet e autopsisë së viktimave.

Kërstiq akuzohet se së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullatës civile shqiptare.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ai me mjete ushtarake ka hyrë në oborrin e shtëpisë së familjes NN dhe ka marrë pjesë në shkatërrimin e pasurisë dhe shtëpive.

Ai akuzohet edhe se ka marrë pjesë në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familjeje dhe në marrjen peng të 4 pjesëtarëve të tjerë, e më vonë vrasjen e tyre.

Prokuroria pretendon se ai ka kontribuar në maltretimin, torturimin, gjymtimin dhe në vrasjen me armë zjarri të viktimave, madje duke i hedhur skaj rrugës kufomat e viktimave me qëllim të fshehjes së krimit.

Kurse Shabanaj akuzohet se në cilësinë e inspektorit policor ka urdhëruar që trupat e këtyre viktimave të varrosen pa dinjitet e në kundërshtim me rregullat e luftës.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se në ditën kritike, me urdhër të Shabanajt dhe pjesëtarëve të tjerë përmes personave H. K. dhe I. A. i kanë tërhequr me kamion viktimat nga morgu i Prishtinës ende pa iu bërë autopsia.

Tutje, në aktakuzë thuhet se viktimat ishin dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt, ku ishte duke i pritur Destan Shabanaj.

Sipas Prokurorisë, ai pretendohet se kishte urdhëruar personin “Maksut” që me ekskavator të hapte një gropë me qëllim që në të hidheshin viktimat.

Pas hapjes së kësaj grope, sipas Prokurorisë, Shabanaj ka urdhëruar që pa i respektuar traditat dhe ritualet fetare t’i hidhnin viktimat në gropë dhe t’i hidhnin dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e tyre.