Apeli vërteton dënimin me gjobë ndaj avokatit Besnik Berisha në çështjen e Shaban Gogaj

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Pejës për shqiptimin e gjobës prej 500 euro ndaj avokatit Besnik Berisha në çështjen penale ndaj Shaban Gogaj.

Kështu Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit Besnik Berisha duke vërtetuar vendimin me gjobë të Gjykatës së Pejës.

Vendimi me gjobë i ishte shqiptuar avokatit Berisha për prishje të rendit në gjykatore.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkalles së parë i është përmbajtur udhëzimeve të Gjykatës së Apelit ashtu që e ka sqaruar bazën ligjore të shqiptimit të gjobës.

Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkalles së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme lidhur me shqiptimin e gjobës ndaj avokatit Besnik Berisha.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast edhe me herët.

Gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e Besnik Berishës, e kishte kthyer në rivendosje vendimin për shqiptimin e gjobës ndaj tij në çështjen penale ndaj Shaban Gogajt.

Gjykata e Pejës përsëri i kishte shqiptuar avokatit gjobë prej 500 euro, vendim ky i cili tash është vërtetuar nga Apeli.

Më 28 qershor të këtij viti, Gjykata e Pejës ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

“Përjashtohet nga gjykimi avokati Besnik Berisha saktësisht nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt dhe njoftohet i akuzuari se mund të angazhojë një mbrojtës tjetër menjëherë në të kundërtën nëse nuk e cakton, do të i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, tha gjyqtarja Violeta Husaj – Rugova.

Në mars të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar për fotografinë ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kishte marrë vendim që ta ndërrojë prokurorin e rastit, Agron Uka.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen  dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.

Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë.

Pasi kjo aktakuzë u ndryshua nga prokurori Agron Uka duke e cilësuar këtë vrasje si nga pakujdesia i akuzuari Gogaj e pranoi fajësinë.