ARKIV - Foto: KALLXO.com

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarit për zjarrvënie në Gjykatën e Kaçanikut

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj Elmedin Rakës, i cili ishte liruar nga akuza për zjarrvënien në Gjykatën e Kaçanikut.

“Refuzohet si e pabazuar Ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special i datës 01.10.2024, vërtetohet.” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Kundër Aktgjykimit të Themelores të datës 05.09.2024, Ankesë kishte paraqitur Prokuroria Speciale për shkak të pretendimeve për shkelje esenciale, Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që Ankesa të aprovohet në tërësi, ndërsa Aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet ose çështja të kthehet në Rigjykim.

Përgjigje në Ankesë të Prokurorisë Speciale kishte paraqitur mbrojtësja e Elmedin Rakës, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi – duke propozuar që Ankesa të refuzohet, ndërsa Vendimi i Themelores të vërtetohet.

Ndërsa, Prokuroria e Apelit përmes Parashtresës ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që Ankesa e Prokurorisë Speciale të aprovohet dhe çështja të kthehet në Rigjykim, ndërsa përgjigja në Ankesë e avokates Fehmije Gashi-Bytyqi të refuzohet si e pabazuar.

Gjetjet e Apelit

Në gjetjet e Apelit thuhet se Aktgjykimi i Shkallës së Parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe dispozitivi i Aktgjykimit është i kuptueshëm.

Gjithashtu, kjo Gjykatë ka vlerësuar se pretendimet e Prokurorit se Aktgjykimi i ankimuar nuk përmban arsyet mbi faktet vendimtare lidhur me veprën penale janë të paqëndrueshme, ngase Gjykata e Shkallës së Parë ka vepruar drejt kur ka gjetur se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë, se i akuzuari ka rrezikuar rendin kushtetues, ka shkatërruar e dëmtuar instalime apo pajisje publike – duke qenë me bindje ideologjike vehabiste, si dhe duke shpërfaqur urrejtje ndaj institucioneve shtetërore e ligjeve të Republikës së Kosovës. 

“Gjykata e Shkallës së Parë ka bërë analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me to ka paraqitur konkuldimet e veta, të cilat si të drejta, objektive dhe të ligjshme i aprovon edhe kjo Gjykatë.” – thuhet tutje në gjetjet Apelit.

Ky Vendim është marrë nga Kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Burim Ademi – kryetar), Afërdita Bytyçi e Bashkim Hyseni – anëtarë.

Seanca lidhur me këtë rast në Gjykatën e Apelit ishte mbajtur më datë 10.12.2024.

Gjykata e Shkallës së Parë ndaj Elmedin Rakës më 05.09.2024 kishte shpallur Aktgjykim lirues.

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

Sipas Dosjes, i akuzuari Elmedin Raka dhe i mituri T. B., të maskuar, e kishin hapur me forcë derën e shkallëve emergjente të objektit të Gjykatës në Kaçanik dhe kishin hyrë në katin e dytë të objektit dhe përmes llozit (hekur i trashë e i gjatë për të mbyllur derën nga brenda) i kishin hapur dy zyre të gjyqtarëve dhe në secilën zyre i kishin vendosur nga dy shishe me lëndë djegëse.

Dy të miturit e tjerë me inicialet M. R. dhe V. T. gjatë kësaj kohe – sipas Prokurorisë – kanë bërë roje rreth Gjykatës, pastaj kanë ikur së bashku nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria, në aktakuzën e saj, ka përshkruar se pas shqyrtimit të provave materiale, në veçanti pas ekzaminimit  të telefonit të të akuzuarit Raka, ka rezultuar se i njëjti ka elemente ideologjike radikale – vehabiste, përmes të cilave shpreh urrejtje dhe mosnjohje të institucioneve shtetërore, respektivisht Gjykatës në Kaçanik.

Tutje, në këtë Dosje, përshkruhet se i njëjti i kishte fshirë të gjitha komunikimet e regjistrimet e thirrjeve të ditës kritike, e kjo sipas Prokurorisë krijon dyshimin e bazuar se i akuzuari i ka asgjësuar ato me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale.

Prokuroria Speciale, më 07.06.2024, kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet E. R., për shkak të veprës penale “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike”.

Prokuroria Themelore e Ferizajit kishte njoftuar më 15.03.2024 se tre të miturit po dyshohen se ishin autorët e vënies së zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore të Ferizajt – Dega në Kaçanik. Ndërsa, pak më vonë ishte arrestuar edhe i akuzuari Raka.

KALLXO.com kishte mësuar se gjyqtarët, zyrat e të cilëve u dogjën nga zjarri, merren me çështje penale.

Raportimet e KALLXO.com – lidhur me këtë rast penal – mund t’i lexoni duke klikuar në këtë: link.