Foto: Kallxo.com (Arkiv)

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj gruas së ‘Sandokanit’

Gjykata e shkallës së dytë ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, me të cilin Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala janë liruar nga aktakuza për keqpërdorime me formularët për njohjen e statusit të veteranëve të UÇK-së.

Përmes një vendimi Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale.

Gjykata e Apelit sipas vendimit të marrë më 19 tetor 2021, nuk ka vërtetuar se ka pasur shkelje të ligjit apo shkelje esenciale të dispozitave të procedurë penale.

“Duke i vlerësuar pretendimet e prokurorisë, Gjykata e Apelit ka konkluduar të pa bazë ankesën e prokurorisë ku atakohet aktgjykimi i shkallës së parë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Gjykata e Prishtinës, më 5 mars 2021 kishte liruar nga akuza dy zyrtarët e MPMS-së, Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala, të cilët akuzoheshin për keqpërdorime me formularët për njohjen e statusit të veteranëve të UÇK-së.

Gruaja e ‘Sandokanit’ lirohet nga akuza për keqpërdorimin me formularë të veteranëve të UÇK-së

Sanije Rexha, e veja e ish-komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha, i njohur si “Sandokani”, dhe Kushtrim Bala, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Sanije Rexha dhe Kushtrim Balës, të cilët dyshohen se gjatë muajit tetor 2017, në bashkëveprim duke i shfrytëzuar pozitat e tyre kishin tejkaluar kompetencat dhe pa autorizim kishin marrë 31 formularë për njohje të drejtës së veteranit të luftës dhe kishin shkuar në Krumë të Shqipërisë që t’i plotësonin këta formularë nga 31 shtetas të Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria thotë se formularët e mbushur në Shqipëri u dorëzuan në Kosovë në DIFDL të MPMS, dhe aplikuesit përfituan nga statusi i veteranit të luftës 133,280.00 euro në mënyrë të kundërligjshme edhe pse formularët nuk u dorëzuan personalisht nga aplikuesit.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala si persona zyrtarë, më 16 janar 2019 në zyrën e Sanije Rexhës kishin ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren për pranimin e formularëve në DIFDL të MPMS Vlora Blakqori për pranimin e 4 formularëve të sjella nga Sokol Poga, shtetas i Republikës së Shqipërisë.