Apeli vendos për ankesat e të akuzuarve për projektin e kanalizimit në Malishevë

Gjykata e Apelit ka refuzuar e aprovuar disa ankesa lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës rreth një projekti infrastrukturor në një fshat të komunës së Malishevës,

Remzi Mazreku, Januz Krasniqi, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi, Islam Vrenezi, Valdete Morina, dhe Qlirim Karaqica, po dyshohet se kanë kryer tri vepra penale gjatë realizimit projektit të kanalizimit në fshatin Balincë që sipas Prokurorisë nuk u krye sipas kontratës.

Në muajin shkurt të këtij vitit, të gjithë ishin deklaruar të pafajshëm.

Pas deklarimit të tyre, gjykatësi Mentor Bajraktari kishte treguar se aktakuzën e Prokurorisë e kishte kthyer në përmirësim, meqenëse e njëjta ishte e paqartë dhe e pakuptueshme.

Më pas,  gjykatësi kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhje të aktakuzës së të akuzuarve Remzi Mazreku, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi, Islam Vrenezi, Januz Krasniqi dhe Qlirim Karaqica, ndërsa ka aprovuar kërkesën e Valdete Morina për hedhje të aktakuzës dhe ka pushuar procedurën penale ndaj saj për veprën e falsifikimit të dokumentit zyrtar në bashkëkryerje.

Këtë vendim Gjykata e mori nën arsyetimin se nuk ka prova që e mbështesin dyshimin e bazuar, pasi që vet akuza kishte qenë jo në rregullt dhe se hetimet ishin kryer pa marrë aktvendim për fillim të hetimeve.

Në këtë rast, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë së Gjakovës në lidhje me vendimin e hedhjes së aktakuzës për të akuzuarën Valdete Morina.

Gjykata po ashtu ka refuzuar ankesat  e avokatëve të të akuzuarve Islam Vrenezi, Besnik Krasniqi, Jakup Shurdhaj dhe Remzi Mazreku në lidhje me hedhjen e aktakuzës.

Ndërsa si të bazuar, Gjykata ka aprovuar ankesën e të akuzuarit Qlirim Karaqica për kthim në gjendje të mëparshme dhe për shkak të hedhjes poshtë si të pasafatshme të kërkesës për hudhje të aktakuzës.

Akuzat ndaj të akuzuarve janë tri veprat penale: veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike, falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim i pozitës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Januz Krasniqi më 16 nëntor 2018, në Malishevë, në cilësinë e kryetarit të komisionit dhe dy të pandehurit Jakup Shurdhaj, dhe Besnik Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e punimeve në projektin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Balincë, në raportin e pranimit teknik kishin shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se është përmbushur kontrata me operatorin ekonomik N.T. “Flamuri” nga Malisheva dhe se projekti në vlerë 9,870 euro i plotësonte kushtet për përdorim sado që firma, “nuk i kishte kryer punët sipas kritereve të kërkuara me kontratë”.

Në këtë rast, po akuzohet edhe drejtori i Urbanizmit në komunën e Malishevës, Islam Vranezi, i cili së bashku me Valdete Morina, në cilësinë e menaxherit të projektit të kanalizimit dyshohet se kishin shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se pas daljes në terren, janë realizuar punimet në bazë të projektit të kontratës.

Ata kishin rekomanduar që firmës kontraktuese t’i bëhet pagesa për realizimin e këtyre punimeve, edhe pse punimet nuk ishin kryer sipas kushteve të kërkuara në kontratë.

Në bazë të këtyre veprimeve të pandehurit Januz Krasniqi, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi, Islam Vrenezi, Valdete Morina, dyshohet se kana kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.

Në këtë rast përfshihen edhe veprime të personave të tjerë.

“I pandehuri Remzi Mazreku gjatë muajit tetor 2018 në Malishevë, në cilësinë e personit përgjegjës të Operatorit ekonomik N.T., “Flamuri”, në Malishevë, me dashje ka shkelur ligjin e afarizmit duke vepruar në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit, ku pasi ka fituar kontratën për kryerjen e punimeve të kanalizimit në fshatin Balincë, nuk i ka përmbushur kushtet e kërkuara sipas kontratës, kështu duke i shkaktuar Kontraktuesit, Komunës së Malishevës dëm material në vlerë prej 9.870,18 euro”, thuhej në aktakuzë.

Sipas këtyre veprimeve Remzi Mazreku, si përgjegjës i operatorit ekonomik N.T. “Flamuri” në Malishevë dyshohet për veprën penale të veprimtarisë së pandërgjegjshme ekonomike.

Edhe zyrtari Qlirim Karaqica, dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në Drejtorinë për Urbanizëm, në komunën e Malishevës.

Aktakuza shpjegon se “I pandehuri Qlirim Karaqica, më 12.02.2018, në cilësinë e personit zyrtar, në drejtorinë për Urbanizëm në komunën e Malishevës, ka keqpërdorur pozitën e tij duke bërë përmasën edhe parallogaritë për shpuarje horizontale të rrugës për kalimin e gypit të kanalizimit në gjatësi 55 metra, në vlerë prej 3500 euro, edhe pse në vendin e njëjtë ka ekzistuar e njëjta shpuarje horizontale, duke i shkaktuar komunës së Malishevës dëm material rreth 3500 euro”.