Apeli trajton ankesën e të akuzuarit për terrorizëm që deklaroi se ka shkuar të jetojë në Siri për arsye fetare

 

Gjykata e Apelit, sot, mbajti seancë gjyqësore për të trajtuar ankesat e palëve ndaj vendimit dënues së shkallës së parë kundër Nagip Lutfiut të akuzuar për terrorizëm.

Gjykata e shkallës së parë në shtator të këtij viti shpalli fajtor dhe e dënoi me 4 vjet e 6 muaj burg të akuzuarin Nagip Lutfiu se ju kishte bashkuar ISIS-it fillimisht në fillim të vitit 2013 e pastaj përsëri në vitin 2014.

Kundër këtij vendimi kanë paraqitur ankesë edhe prokuroria edhe mbrojtja e të akuzuarit.

Prokuroria me ankesë ka kërkuar që të rritet dënimi dhe ka shprehur se nuk pajtohet me këtë lartësi të dënimit, meqë është më e ultë se minimumi i paraparë me ligj dhe konsideron se nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të shqiptohet një dënim aq i ultë.

Vepra me të cilën akuzohet Lutfiu, është vepër e dënueshme me burg në kohëzgjatje 5-10 vjet burg, kundër të të akuzuarit është shqiptuar dënim 6 muaj më pak se minimumi i lejueshëm, por vendimin gjykata e ka arsyetuar me rrethanat lehtësuese që ka marrë për bazë për caktimin e dënimit.

Gjithashtu prokuroria në ankesë ka kontestuar vendimin e Themelores për llogaritjen e mbajtjes së paraburgimit të të akuzuarit, meqë themelorja kishte vendosur se kohën që i akuzuari e ka kaluar në paraburgim pranë Forcave Demokratike Siriane të ia llogarisë si kohë e vuajtjes së paraburgimit.

Gjithashtu me këtë vendim nuk është pajtuar as mbrojtja e të akuzuarit, avokati Kadri Begolli, i cili ka ushtruar ankesë mbi bazën juridike të konstatimit të gabueshëm të gjendjes faktike dhe kundër lartësisë së dënimit të shqiptuar.

Sot në seancë avokati Begolli qëndroi mbrapa këtyre pretendimeve të veta dhe të njëjtat i mbështeti edhe vetë i akuzuari Nagip Lutfiu.

Gjykata Themelore me këtë vendim ka vërtetuar aktakuzën e ngritur nga prokuroria pas kthimit të të akuzuarit në Kosovë më 17 korrik të vitit 2021.

Në atë ditë janë kthyer disa persona nga Siria dhe për të gjithë prokuroria ka ngritur aktakuzë për veprën organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Të akuzuarin në fjalë, Nagip Lutfiu, prokuroria e akuzon se këtë vepër e ka kryer në vazhdimësi meqë i njëjti pas largimit nga Kosova në janar të 2013 ka shkuar në Siri ku është pajisur me armë dhe ka kryer ushtrimet luftarake mirëpo në prill të po atij viti ishte kthyer në Kosovë.

Por prokuroria pretendon se Lutfiu përsëri ka lëshuar territorin e Kosovës në shtator të vitit 2014 me qëllimin që ti bashkohet përsëri ISIS-it.

Sipas prokurorisë, i akuzuari me anë të lidhjeve ka depërtuar në Siri ku është takuar me familjen e tij dhe janë pritur nga pjesëtarë të ISIS-it.

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka marrë pjesë aktive në luftërat në Siri meqë i njëjti edhe ka qenë i pajisur me pushkë automatike AK-47.

Sipas akuzës i njëjti është dorëzuar tek Forcat Demokratike të Sirisë ku ka qëndruar deri më datën 17 korrik 2021 kur edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Pas kthimit nga Siria, i akuzuari është arrestuar nga forcat e rendit dhe me datë 2 dhjetor prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër të njëjtit.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari Nagip Lutfiu nuk  e ka pranuar fajësinë për veprat që prokuroria e akuzon.

I akuzuari ka mohuar se qëllimi i shpërnguljes në Siri ka qenë për të ju bashkuar ISIS-it por ka deklaruar se qëllimi ka qenë që të jetojë në një shtet islamik dhe me rregulla të islamit.

Kështu gjykata ka administruar provat dhe ka dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve.

Ndër provat që gjykata ka shqyrtuar kanë qenë edhe dokumentacionet e ofruara nga FBI-ja e SHBA-së dhe raporti individual i lëshuar nga INTERPOL me të dhënat  e të akuzuarit.

Gjatë shqyrtimit gjyqësorë, prokuroria ka deklaruar se të njëjtit i ishte vrarë djali në Siri kurse vajza nga po kjo Gjykatë është dënuar me kusht për vepra të ngjashme.

Sipas aktgjykimit, gjykata nuk ka gjetur ndonjë rrethanë tejet rënduese por si rrethanë rënduese në shqiptim të dënimit me burg konsideron rrezikshmërinë e lartë të kësaj vepre meqë kryerja e këtyre akteve cenon sigurinë globale.

Si rrethanë tjetër ka konsideruar të rëndë edhe motivin e kryerjes së veprës që gjyqtari i rastit, Mentor Bajraktari, ka konsideruar si motiv religjioz-terrorist, duke u inkuadruar në struktura terroriste dhe pjesëmarrje në luftime të huaja.

Por në anën tjetër, në konsideratë ka marrë edhe rrethanat si gjendjen materiale të të akuzuarit dhe familjes së tij pas kthimit në Kosovë, meqë i akuzuari është mbajtës i vetëm i familjes.

Për të lehtësuar dënimin gjykata ka marrë në konsideratë edhe faktin se i akuzuari asnjëherë më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin dhe kjo është hera e parë.

Në aktgjykimin e gjyqtarit Mentor Bajraktari thuhet se gjykata ka vlerësuar se me shqiptimin e këtij dënimi me burg në afat 4 vjet e 6 muaj do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit dhe ka vlerësuar që është në proporcion me veprën penale.

Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se ky dënim do të ndikojë në parandalimin e të akuzuarit nga kryerja e veprimeve të kundërligjshme në të ardhmen dhe do të ndikojë në rehabilitimin e tij.

Ndër të tjera, gjykata ka vlerësuar dhe është bazuar në praktikën gjyqësore, ku ka marrë për bazë Vendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin i ka llogaritur si kohë të kaluar në paraburgim edhe kohën e heqjes së lirisë prej fundit të gushtit 2018 nga Forcat Demokratike Siriane.

Dënohet me 4 vite e 6 muaj burgim për pjesëmarrje në grupe terroriste