Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli refuzon ankesën e Prokurorisë në gjykimin tre të akuzuarave

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë së Prizrenit, ndërsa ka vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit, në çështjen penale kundër të akuzuarve Bekim Thaçi, Nexhat Çoçaj dhe Bedri Çejku, të akuzuar për keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Gjykata e Prizrenit në muajin korrik kishte liruar nga akuza ish-drejtorin e Arsimit, Nexhat Çoçaj dhe dy të bashkakuzuarit e tjerë Bekim Thaçi dhe Bedri Çejku.

Trupi gjykues me kryetare Ajser Skenderi, kishte vlerësuar se në veprimet e të akuzuarve nuk ka element të veprës penale për keqpërdorim të fondeve për manifestimin e javës së dëshmorit Remzi Ademaj.

Kundër këtij vendimi, Prokuroria e Prizrenit kishte bërë ankesë me pretendimin që aktgjykimi të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje, e cila ankesë është refuzuar nga Apeli, me arsyetimin se pretendimet në ankesën e Prokurorisë janë të pabazuara.

Në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt që mbante pozitën e drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit në kohën kur kjo komunë drejtohej nga Ramadan Muja i Partisë Demokratike të Kosovës.

Nexhat Çoçaj ngarkohej me 5 pika të aktakuzës, nën dyshimet se keqpërdori për 5 vjet rresht përgjatë viteve 2008 – 2012 me manifestimin e javës së dëshmorit Remzi Ademaj, të mbështetur nga Komuna e Prizrenit.

Gjykimi maratonik ndaj ish drejtorit të Arsimit ka zgjatur 7 vite për shkak të përmbytjeve të vendimeve gjyqësore.

Çoçaj akuzohej se gjatë pesë viteve të manifestimit të javës “Remzi Ademaj” keqpërdori 61,303 euro, ndërsa bashkë me Çoçajn akuzoheshin edhe dy mësimdhënësit Çejku dhe Thaçi.

Në vitin  2015 kanë filluar “maratonat” e gjykimit ndaj të akuzuarve.

Që atëherë, janë zhvilluar dy procese gjyqësore në Gjykatën e Prizrenit dhe dy procese tjera në Gjykatën e Apelit.

Çoçajt i ishte vjetërsuar një pikë e aktakuzës.

Historia e rastit:

Në qershor të vitit 2016, Gjykata e Prizrenit e kishte shpallur fajtor Nexhat Çoçajn dhe dy të akuzuarit tjerë nën akuzat për keqpërdorim.

Çoçaj ishte dënuar me tre vjet burg efektiv, i akuzuari tjetër Bekim Thaçi me 14 muaj ndërsa i akuzuari i tretë me gjashtë muaj burg.

Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin e se gjatë procesit gjyqësor ishin paraqitur dy ekspertiza të ndryshme dhe në kundërthënie me njëra-tjetrën.

Pas rigjykimit më 19 nëntor të vitit 2018, Gjykata e Prizrenit e kishte shpallur të pafajshëm Nexhat Çoçajn dhe dy të akuzuarit e tjerë.

Përsëri në tetor të vitit 2018 Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.