Apeli prish dënimin ndaj aktivistëve të dënuar për mbishkrimet në mure

Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin dënues ndaj tre aktivistë të “Kolektivit për Mendim dhe Zhvillim” për mbishkrime në disa mure në qytetin e Mitrovicës së Jugut.

Tre të rinjtë B. D., E. A/ dhe A. H., aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të vajzave dhe grave, ishin dënuar nga Gjykata e Mitrovicës me nga 100 euro gjobë për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë.

Ata ishin dënuar me gjobë për shkak të mbishkrimeve “haram është m`i mshel gratë”, “virgjiniteti është shpikje e burrave”, “dhunuesit e grave në burg”, “gruaja e ka vendin ku të dojë”, “gruaja nuk o rob i burrit”, “trupi jem – e drejta jem”, të cilat i kishin bërë nëpër mure të ndërtesave nëpër qytet të cilat nga Gjykata e Mitrovicës u konsideruan si ‘të turpshme’.

Apeli duke aprovuar ankesën e aktivistëve gjeti se aktgjykimi nuk ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike, andaj duhet anuluar dhe çështja të kthehet në rivendosje.

Sipas Apelit nuk janë vërtetuar dy fakte kryesore, se cili person, ose institucion është ofenduar dhe turpëruar, si dhe nuk është vërtetuar nëse qëllimi i aktivistëve ishte prishja e rendit dhe qetësisë publike.

Po ashtu Apeli ka udhëzuar Gjykatën e Mitrovicës që në rivendosje të provojë se kush ndihet i turpëruar dhe ofenduar  me këto mbishkrime dhe qëllimin e të pandehurëve.