FOTO ARKIV: Xhabir Zharku
Apeli merr vendimin për Xhabir Zharkun
Gjykata e Apelit të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit mbrojtës kundër vendimit për caktimin e masës së paraburgimit prej një muajit për Xhabir Zharkun.
Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj me 15 dhjetor, Xhabir Zharkut i është caktuara masa e paraburgimit nga data 14 dhjetor deri më 12 janar.
Xhabir Zharku po dyshohet nga ana e prokurorisë për shpërdorim të detyrës zyrtare.
“Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës se parë, drejtë ka vlerësuar se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprat penale në fjalë, ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, ngase ka arsye për të besuar se me gjetjen e tij në liri, i njëjti mund të ikë ose arratiset, më qëllim të shmangies se procedurës penale, apo të ndikoj në prova ose dëshmitarë, më qellim të pengimit të rrjedhës normale të saj”, thuhet në njoftim.
Sipas kërkesës e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Zharku dyshohet të ketë kryer dy vepra penale gjatë kohës kur mbante pozitën e kryetarit të Kaçanikut.
Sipas Prokurorisë, Zharku më 23 tetor 2008 si kryetar i Komunës ka marrë vendim me të cilin ka lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale që ka qenë pasuri shoqërore.
Kjo pronë i është dhënë në shfrytëzim një kompanie dhe në të do të ndërtohej objekti për banim kolektiv. E kjo sipërfaqe do të ndahet në mes të kompanisë ndërtuese dhe Komunës së Kaçanikut, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit.
Ndërsa vepra e dytë penale të cilën dyshohet të ketë kryer Xhabir zharku, ka të bëjë me vitin 2010, kur Zharku ka pasur qëllim përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore për një organizatë biznesi dhe shkaktim të dëmit Komunës së Kaçanikut.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Komunale Kaçanik në një çështje civile, sipas Prokurorisë Xhabir Zharku ka urdhëruar avokatin publik të Komunës që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Kaçanikut.
Sipas Prokurorisë, Zharku ka kryer dy vepra penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare në periudha të ndryshme kohore.
Hetimi i Prokurorisë ka filluar në bazë të një kallëzimi penal të vitit 2015, por kundër Zharkut Hetimi ishte pezulluar në vitin 2017 sepse i njëjti ka qenë në arrati pasi që ka qenë i dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 viteve dhe si pasojë e arratisë nuk ka mundur të sigurohet prezenca e tij në procedurë.