Prapa grilave - Ilustrim

Apeli lë në paraburgim të dyshuarin për Krime Lufte në Kosovë

Apeli, ka njoftuar se ndaj Dervish Krasniqit, i dyshuar për krime lufte ka lënë në fuqi masën e paraburgimit.

Kjo pasi që avokati mbrojtës i Krasniqit kishte parashtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës së Prishtinës me të cilin ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit deri më 1 nëntor 2020.

Sipas Prokurorisë, Dervish Krasniqi, po dyshohet se gjatë viteve 1998-1999, ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile në kundërshtim me Ligjin e RSFJ-së, lidhur me nenin 3 te Konventës së Katërt te Gjenevës e parapara me nenin 144 par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Apeli, ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj Dervish Krasniqit, për shkak se për të njëjtin ka dyshim të bazuar se ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Po ashtu Apeli, ka gjetur se nëse Dervish Krasniqi, lihet në liri ekziston rreziku i ikjes, ndikimit në dëshmitarë, prova dhe zvarritjen e procedurës penale.