Apeli lë në paraburgim të akuzuarin për krime lufte

 

Ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Darko Tasiç, i akuzuar për masakrën ndaj bashkëfshatarëve të tij shqiptarë në Krushë të Vogël të Prizrenit, gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar. Ankesa ishte parashtruar ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelorë në Prizren, në të cilën të akuzuarit Tasiç i ishte vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

Tasiç nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Në vendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsyet të mjaftueshme mbi bazën ligjore për të cilën ka vazhduar masën e paraburgimit, pasi që edhe më tutje ekzistojnë rrethanat të cilat me të drejtë justifikojnë frikën se me gjetjen e të pandehurit në liri, i njëjti do të mund të fshihet apo arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale, pasi i njëjti është shtetas i Republikës së Serbisë, nuk ka vendbanim të rregullt në Kosovë.

Sipas vendim të Apelit, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale, vazhdimi i paraburgimit konsiderohet si i domosdoshëm, kurse ankesa e mbrojtës të pandehurit refuzohet si e pabazuar.

Aktakuzën e Prokurorisë Speciale e përfaqëson prokurorja vendore Drita Hajdari.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiç ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël të Prizrenit, në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm i pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.

Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit si dhe anëtarëve tjerë të familjes.

Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiç akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.

Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar për seancat ndaj të akuzuarit Darko Tasiç, për krimet në Kurshë të Vogël.

Gjykimi për krime lufte, dëshmitari rrëfen si dëgjoi britmat e viktimave në kamionin e djegur