
ARKIV - Seanca e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-sekretarit të KPK-së, Lavdim Krasniqi dhe të tjerëve - FOTO KALLXO - 09.03.2023
Apeli kthen për të dytën herë në rigjykim rastin ndaj ish-drejtorit të Sekretaritatit të KPKP-së Lavdim Krasniqi dhe të tjerëve
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Lavdim Krasniqit, Marigona Berishës dhe Flora Dodës.
Krasniqi, Berisha dhe Doda akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe mosraportim të pasurisë.
“Me aprovimin e ankesave të Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, si dhe ankesës së mbrojtësit së të akuzuarës M. B., av. Fatlum Podvorica, e sipas detyrës zyrtare, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.339/2023, të dt.25.03.2024, kurse çështja penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim e vendosje”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Ky vendim është marrë nga i kolegji i përbërë nga gjyqtarët Kadrije Goga- Lubishtani, kryetare e kolegjit, Hashim Çollaku dhe Kymete Kicaj, anëtarë.
Kjo është hera e dytë që Gjykata e shkallës së dytë e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Më 05.11.2024 Lavdim Krasniqit, Marigona Berishës dhe Flora Dodës kanë dalur për herë të dytë në Gjykatën e Apelit.
Kundër këtij aktgjykimi ankesë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit lidhur me sanksionin penal, si dhe konfiskimit dhe kërkesave pasurore juridike, duke propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore të anulohet dhe çështja penale t`i kthehet gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim e vendosje.
Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarës Marigona Berisha, avokati Fatlum Podvorica, kishte ushtruar ankesë për shkak të pretendimeve për shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljeve të ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar, dhe aktgjykimi i Gjykatës Themelore të ndryshohet ashtu që e akuzuara të lirohet nga aktakuza apo sa i përket pikës II të dispozitivit të aktgjykimit të ankimuar, çështja penale t`i kthehet gjykatës së shkallës së parë në ri procedurë dhe rivendosje.
Ndërsa përgjigje në ankesë të prokurorisë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Lavdim Krasniqit, avokati Ramë Gashi, mbrojtësi i të akuzuarës Flora Dora, avokati Arlind Jupolli, dhe mbrojtësi i të akuzuarës Marigona Berishës avokati Fatlum Podvorica, të cilët kanë propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda të refuzohet si e pabazuar, kurse aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Gjykata e Apelit ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij.
“Aktgjykimi i ankimuar përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij”– thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
“Në rishqyrtim gjyqësor përkundër asaj që është udhëzuar gjykata e shkallës së parë, që të nxjerr edhe prova të tjera, për të vërtetuar ekzistimin e veprave penale, rezulton se nuk është vepruar sipas udhëzimeve të marra, që nënkupton se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale”– thuhet tutje në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Apelit për herë të pare e kishte kthyer këtë rast në rivendosje më 07.11.2023
Nga gjykata e shkallës së parë me vendimin e dytë Lavdim Krasniqi ishte liruar nga akuzat e Prokurorisë për ushtrim ndikimi në bashkëkryerje, mosraportim të pasurisë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
E akuzuara Marigona Berisha ishte gjetur fajtore në akuzën lidhur me veprën – falsifikim i dokumentit dhe është dënuar me 3,000 euro gjobë. Ndërsa ishte liruar nga akuza për veprën penale – blerja ose pranimi i sendeve të përfituara nga vepra penale.
Aktgjykim lirues ka pasur edhe ndaj të akuzuarës Flora Doda, e akuzuar për veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Lirimin nga akuzat gjatë shpalljes së aktgjykimit kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, e kishte arsyetuar me faktin se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.
Aktgjykimi ishte marrë nga trupi gjykues në përbërje të gjyqtarëve Alban Ajvazi – kryetar, Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi, anëtarë.
Lidhur me akuzat edhe në rigjykim Lavdim Krasniqi, Flora Doda dhe Marigona Berisha janë deklaruar të pafajshëm.
Ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, Marigona Berisha dhe Ardian Krasniqi nga Gjykata Themelore për herë të parë ishin gjetur fajtorë për veprat që rëndonin mbi ta. Kurse Flora Doda ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Aktgjykimi dënues herën e parë ishte marrë më 09.03.2023.
KALLXO.com kishte raportuar që nga fillimi i këtij rasti, i cili filloi në mars të vitit 2021.
Lavdim Krasniqi, që atëherë mbante postin e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Marigona Berisha u shoqëruan për në stacionin policor nën dyshimet se janë përfshirë në afera korruptive.
Ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga B. M., duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi kanë kryer veprën penale – ushtrimi i ndikimit.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A. M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Sipas Prokurorisë, këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.
Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.
Ndërsa shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për B. M. me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.
Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.
Sipas Prokurorisë, ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të B. M. me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8,400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.
Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i B.M. në atë dokument nuk ishte i tij.
Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-Roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.
Raportimet e Kallxo.com për këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.