Foto: Kallxo.com

Apeli kthen në rivendosje kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj gjyqtarit Sali Berisha

Gjykata e Apelit, e ka kthyer në rivendosje çështjen e refuzimit të kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave ndaj gjyqtarit Sali Berisha.

Apeli ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Sali Berisha, dhe ka anuluar aktvendimin e Gjykatës së shkallës së parë.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Sali Berishës për shkak të veprave penale, marrja e ryshfetit dhe mbajtje të armës pa leje.

Kurse në shqyrtimit fillestar të mbajtur me datë 18 shtator 2020, Berisha nuk e kishte pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohet.

Ndërkaq, brenda afatit ligjor mbrojtësi i tij avokati Besnik Berisha kishte paraqitur me shkrim kërkesë për kundërshtimin e provave dhe për hudhjen e aktakuzës.

Në shqyrtimin e dytë të mbajtur me 04 nëntor 2020, prokuroria kishte deklaruar se mbeten në tërësi pranë shkresë së dorëzuar me shkrim.

Kurse i akuzuari  Sali Berisha kishte deklaruar, se mbete ne tërësi pranë deklarimit të mbrojtjes së tij, kurse avokati i dytë Gëzim Kollqaku, i cili e përfaqëson të akuzuarin kishte propozuar edhe dëshmitarë.

Por gjyqtari i rastit Arben Hoti, me datë 04 dhjetor 2020, kishte refuzuar Kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të ushtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Berisha.

Pas kësaj mbrojtja kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Në aktvendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuhet se Gjykata e Apelit pasi shqyrtoi pretendimet ankimore, ka gjetur se aktvendimi i ankimuar duhet detyrimisht të anulohet dhe çështja t`i kthehet gjykatës së shkallës së pare në rivendosje.

Kolegji i Apelit ka gjetur se aktvendimi i ankimuar është marrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Kolegji i Apelit ka gjetur se aktvendimi i ankimuar është marrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale ngase diapozitivi i aktvendimit të ankimuar është i paqartë dhe në kundërshtim me arsyetimin e tij.

Ndërsa në arsyetim nuk janë dhënë arsyet e qarta për faktet vendimtare dhe arsyet për mosmiratimit e propozimeve nga ana e mbrojtësit të pandehurit si dhe arsye ne të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së çështjes, thuhet në vendimin e Apelit.

Tutje thuhet se mbrojta në kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ka theksuar se prova – procesverbali mbi kontrollin e personit dhe shtëpisë, lokaleve dhe pronës me shenjën 2019 KE 372 i datës 19 shtator 2019, është provë e pa pranueshëm, ngase gjatë kontrollit të banesës nuk ka marrë pjesë dëshmitarja e moshës madhore.

Kurse lidhur me këtë pretendim Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë në aktvendimin e ankimuar nuk ka dhënë fare arsye nëse ky pretendim është apo jo i bazuar.

“Gjithashtu nga shkesat e lëndës dhe nga pretendimet e ngritura nga ana e mbrojtjes si në ankesë po ashtu edhe në kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, ku thekson se procesverbali mbi kontrollin e personit dhe shtëpisë, lokaleve dhe pronës me shenjën 2019 KE 372 i datës 19 shtator 2019, është nënshkruar nga ana e djalit të të pandehurit, i cili cilësohet si dëshmitar i privilegjuar dhe i njëjti lirohet nga detyrimi për të dëshmuar, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të qarta e të mjaftueshme ngase një arsyetim i tillë “se e drejta për të mos dëshmuar nuk është e pakufishme dhe në çdo rast ngase ka përjashtime bazuar në nenin 127 par.1 nën par. 1.2 të KPPRK-së”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në vendimin e Apelit më pas thuhet se në rivendosje, gjykata e shkallës së parë duhet të mënjanojë shkeljet e lartcekura, ku gjatë rivendosje duhet të kujdeset për të dhënë arsyet e qarta lidhur me pretendimet e ngritura nga palët procedurale dhe pas vlerësimit të tyre të merr vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F. Z., me të cilin ka kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi që kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i pandehuri ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç’rast i pandehuri ka marrë aktgjykimin me të cilin ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg tre vjet, me kusht prej dy vjet për dy vepra penale të kontrabandimit me migrantë.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjyqtarin Sali Berisha se deri më 19.09 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjyqtari Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak. Berisha është i dyshuar edhe për keqpërdorim të detyrës.

Refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës ndaj gjyqtarit të akuzuar për ryshfet