Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli kthen në rigjykim rastin e ish-drejtoreshës së Arsimit në Mitrovicë

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-drejtoreshës së Arsimit të Komunës së Mitrovicës, Ajmane Barani, e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Apeli ka anuluar aktgjykimin e shkalles së parë pas ankesës që e ka bërë Prokuroria e Mitrovicës ndaj këtij aktgjykimi.

Barani sipas aktgjykimit të shpallur më 13 dhjetor 2018 ishte liruar nga akuza.

Në atë kohë gjykatësi Radosllav Markoviq ka shpallur aktgjykimin, kurse në një arsyetim të shkurtër të dhënë kishte potencuar se nuk ishte vërtetuar se e akuzuara ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare lidhur me akuzën për mospërfillje të vendimit të Inspektoratit të Arsimit në Mitrovicë, që kishte vlerësuar se ka gabime në data në procesverbalin e komisionit ku me më së shumti pikë është vlerësuar e dëmtuara Mirdona Istrefi, e që kishte kërkuar që konkursi të rishpallej, me ç’rast sërish ishte pranuar në punë një kandidate tjetër.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se Gjykata e Apelit i ka shqyrtuar ankesën si dhe shkresat e tjera të lëndës dhe ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Tutje në aktvendimin e Apelit thuhet se Gjykata e shkallës së parë ka theksuar në formë listimi prova të administruara por pa ndonjë arsyetim të mirëfilltë të secilës provë veç e veç.

Sipas Apelit është e paqartë se cila provë çka vërteton në veçanti dhe të gjitha së bashku në përgjithësi.

Përmes aktvendimit është kërkuar nga Gjykata e Mitrovicës se në rigjykimin e kësaj lënde, Gjykata e shkallës së parë duhet të gjitha provat e administruara t’i vlerësojë një nga një, të japë arsyetim për secilën veç e veç si dhe t’i jap arsyetimet në pretendimet ankimore të Prokurorisë, e posaçarërisht fakti se në shkresat e lëndës a ekziston si provë materiale se është shpallur konkurs në muajin mars të vitit 2015, e që sipas Prokurorisë nga Inspektorati i në Mitrovicë është rekomanduar që DKA të shpallë konkurs për mësimdhënës të psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë 8 ditë nga marrja e këtij rekomandimi.

Sipas aktvendimit, të siguruar nga KALLXO.com Apeli thotë se vërtetimi i këtij fakti është i rëndësishëm për vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike pasi që me arsyetimin e dhënë nga ana e gjykatës së shkallës së parë aktgjykimi i saj është i paqëndrueshëm dhe si tillë është dashur që të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim dhe vendosje.

Gjykata e Apelit po ashtu ka gjetur se përshkrimi faktik nuk është bërë sa duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm.

Andaj duke u mbështetur në arsyetimin e mësipërm është anuluar aktgjykimi i cili ishte shpallur nga gjykatësi Radoslav Markoviq në dhjetor të vitit 2018.

Sipas atij aktgjykimi, ish-drejtoresha e Arsimit ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndryshe, Prokuroria e Mitrovicës akuzon Ajmane Beranin se duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Barani me qëllim që vetës t’i sjell dobi pasurore i ka shkaktuar dëm personit tjetër, tani të dëmtuarës Mirdona Istrefi.

Sipas aktakuzës së ngritur në fund të vitit të kaluar tani e akuzuara nuk e ka përfillur vendimin e komisionit për pranimin e mësimdhënësve për lëndën e psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi“ në Mitrovicë lidhur me konkursin plotësues që ishte shpallur në dhjetor të vitit 2014.

Në këtë vendim komisioni kishte vendosur për pranimin në punë të kandidates Mirdona Istrefi, ndërsa në vendin e saj tani e pandehura ka pranuar një kandidate tjetër.

Me këtë ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, thuhet në aktakuzë.

Sektori i Inspektoratit të Arsimit në Mitrovicë kishte rekomanduar që të shpallej konkurs për mësimdhënës të lëndës së psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi“, në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së rekomandimit, mirëpo e pandehura nuk kishte vepruar sipas këtij rekomandimi.

Ndryshe Ajmane Barani në shtator të vitit 2015 së bashku më gjashtë drejtorë të tjerë komunalë ishte shkarkuar për shkak të performancës së dobët, shkak i së cilës ishte edhe prishja e koalicionit të atëhershëm.

Ndërsa më vonë ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në gjimnazin “Frang Bardhi“, pozitë të cilën e mban edhe sot.