Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli kthen në rigjykim rastin e gjeodetit të dënuar me 8 muaj burg

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e gjeodetit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Një ndarje e parcelës, e cila sipas Prokurorisë ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa aprovimin e njërit prej bashkëpronarëve, ka vënë përpara drejtësisë inxhinierin e gjeodezisë Bajram Selmani dhe gjeodeten e Komunës së Prizrenit, Luljeta Rizanaj.

Bajram Selmani, në nëntor të vitit 2021, është dënuar me 8 muaj burg efektiv si dhe i është shqiptuar dënimi plotësues-ndalimi i ushtrimit të profesionit për periudhën një vjeçare.

Ndërkaq, Luljeta Rizanaj është shpallur e pafajshme.

Por, pas ankesës së Hazër Susurit, mbrojtës i të akuzuarit, Apeli lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Shkalla e dytë ka vlerësuar se në aktgjykim gabimisht është vërtetuar gjendja faktike si dhe nuk janë vërtetuat faktet për ekzistimin ose jo të veprës penale.

“Si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjykata e shkallës së parë, gjendjen faktike nuk e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, që me të drejtë pretendohet edhe në ankesën e mbrojtësit”- thuhet në arsyetimin e Apelit.

Shkalla e dytë ka konstatuar se në aktgjykim po ashtu gabimisht është vërtetuar edhe:

Dëmi material i të dëmtuarit; Dashja e të akuzuarit; Kompetenca dhe autorizimet zyrtare për copëzimin e parcelës nga detyra të cilën e ushtronte si gjeodet i licencuar dhe cilën detyrë konkrete nuk e ka kryer i akuzuari.

Gjykata e Apelit më tej ka sqaruar se në rastin konkret shkalla e parë nuk ka vlerësuar drejtë situatën pasi që ka paqartësi në raport me veprimet inkriminuese të akuzuarit.

“Në aktgjykim nuk përcaktohet saktë se cilën kompetencë specifike në kuadër të detyrës zyrtare e ka tejkaluar i akuzuari në cilësinë e gjeodetit të licencuar në rastin e copëzimit të ngastrave kadastrale të vëllezërve Gjevlekaj”-citohet në vendim.

Paqartësi të tjera Apeli ka paraqitur edhe në dëshmitë e dëshmitarëve të cilët kanë theksuar se në rastin konkret vetëm është bërë ndarja e ngastrës kadastrale në pjesë ideale.

“Paqartësitë ekzistojnë në raport me ‘actus revus- veprimin inkriminues’ të të akuzuarit. Nuk është sqaruar jokompatibiliteti me dëshmitë e dëshmitarëve të cilët kanë shpjeguar se në rastin konkret është bërë vetëm ndarje e ngastrës kadastrale në pjesë ideale, ku pjesët tjera kanë mbetur siç kanë qenë dhe nuk janë ndryshuar bashkëpronarët”- ka thënë Apeli.

Nga të lartcekurat Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërkaq ka refuzuar ankesën e Prokurorisë ndaj të akuzuarës Luljeta Rizanaj.

Apeli gjithashtu ka konstatuar jo lëndore ankesën e Prokurorisë lidhur me vendimin për dënimin e të akuzuarit Bajram Selmani.

Sipas Prokurorisë, Bajram Selmani, gjeodet, po akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Selmani e ka bërë në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të akuzuarën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin me 12 shkurt 2018.

Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.