Gazmend Muhaxheri, kryetar i Pejës dhe Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Pejës Foto: Facebook
Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion kundër shefit të kabinetit të Gazmend Muhaxherit
Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Pejës, i akuzuar për korrupsion i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata e Apelit.
Përveç Sheremetit, aktakuza është konfirmuar edhe për 3 zyrtarët komunal Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala, si dhe biznesmenit Ilir Kelmendi.
Sipas aktakuzës të Prokurorisë se Pejës, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11,929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.
Sheremeti sipas dosjes së Prokurorisë ka nënshkruar raportin në emër të Organit Mbikëqyrës – menaxherit të projektit Faik Zekaj, i cili me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka qenë i emëruar menaxher i projektit në fjalë.
Në dosjen e prokurorisë menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.
Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dy mijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9,929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9,929.41 euro.
Sipas aktakuzës, zyrtarët komunal Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.
Aktakuza pretendon se të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9,929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9,929.41 euro.
Në anën tjetër, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, pasi që si pronar firmës “Green Construcion-Shpk”, duke paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore prej 9,929.41 euro.
Më këto veprime të dyshuarit akuzohen se i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Komunës së Pejës në vlere prej 9,929.41 euro.
Sipas Apelit në këtë fazë të procedurës ka prova të mjaftueshme qe provojnë dyshimin e bazuar mirë se janë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit.
“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave dhe drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme, të pranueshme në aspektin ligjor dhe procedural, duke u bazuar në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës se nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale, për të cilat janë akuzuar të akuzuarit dhe se ka prova të mjaftueshme që provojnë dyshimin e bazuar mirë se janë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen të njëjtit”, thuhet në aktvendimin e Apelit të siguruar nga KALLXO.com.
Në muajin dhjetor Gjykata e Pejës e kishte konfirmuar aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Durim Sheremetit, dhe të akuzuarve tjerë.
Shefi i kabinetit të Gazmend Muhaxherit deklarohet i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë
.