Vetura që dyshohet se u përdor nga vrasësit e Oliver Ivanoviqit. Foto: Kallxo.com

Apeli konfirmon aktakuzën në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Apeli e ka konfirmuar aktakzuën për krim të organizuar në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Kolegji prej tre anëtarësh gjeti se gjykata e shkallës së parë, ka vepruar drejt kur i ka refuzuar kërkesat e mbrojtësve për hudhjen e aktakuzës.

Me këtë vendim Apeli ka velrësuar se të akuzuarit Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedeljko Spasojeviq, duhet të gjykohen për krim të organizuar.

Për rastin e vrasjes së ish-politikanit Oliver Ivanoviq deri më tani po akuzohen gjashtë persona, ndërsa të përfshirë në këtë rast sipas prokurorsë janë së paku edhe pesë persona të tjerë të dyshuar.

Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanonviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas prokurorisë kishin manipoluar me prova të rastit.

Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Marko Roshiq dhe Silvana Arsoviq, sipas Prokurorisë Speciale kanë vepruar si grup kriminal në bashkëpunim me Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq të cilët gjenden në arrati.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartëcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedeljko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e pa autorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanovicit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcejllë edhe Mirosllav Invanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohen se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i pandehuri Milan Radoiçiq, për t`i eleminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshimtë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke ç’kyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe  kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Ndarësa Millan Radoiçiq, i cili përmendet si udhëheqës i këtij grupi kriminal ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata pas kërkesës së ish-prokurorit Sylë Hoxha.

Ky urdhër ishte tërhequr më vonë ndërsa reagime për këtë pati edhe nga ish prokurori Hoxha.