Arkiv - Ivan Todosijeviq - Ish ministër

Apeli ja vërteton dënimin me burgim ish-ministrit Ivan Todosijeviq

Gjykata e Apelit ka njoftuar se e ka vërtetuar dënimin prej dy vite burgim ndaj ish-ministrit Ivan Todosijeviq, të shqiptuar nga Gjykata e Prishtinës për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Para kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, mbrojtësi i Todosijeviq, avokati Nebojsha Vlajiq kishte thënë se Todosijeviq ka imunitet dhe çështja penale ndaj tij nuk do të duhej të vazhdonte.

Madje Todosijeviq kishte kërkuar edhe përjashtimin e kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe kishte kërkuar që kjo çështje të zhvillohej në divizionin e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.

Më 5 dhjetor 2019, Gjykata e Prishtinës i kishte shqiptuar dënimin me dy vjet burg efektiv ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës, për një deklaratë të dhënë vitin 2018, me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë, Todosijeviq në cilësi të ministrit me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se, Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjakëpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

Mohoi masakrën e Reçakut, dënohet ish-ministri i Listës Serbe