Arkiv | Foto: KALLXO.com

Apeli ia vërteton pafajësinë pronarit të HIB-Petrol-it

Gjykata e Apelit të Kosovës ka refuzuar ankesën e Prokurorisë së Prishtinës dhe ka vërtetuar pafajësinë e pronarit të kopanisë “HIB-Petrol”, Kujtim Bucaliut.

Këtë e ka bërë të ditur me anë të një komunikate për media avokati i Bucaliut, Arianit Koci.

Avokati Koci ka bërë të ditur se me datë 11 nëntor 2019, Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë së Prishtinës si të pa bazuar.

Kujtim Bucaliu dhe ‘HIB-Petrol Sh.P.K.’, akuzoheshin se prej 8 shkurt të vitit 2012 e deri më 30 janar të vitit 2014, e kishin mashtruar Komunën e Prishtinës me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të fondeve publike gjatë zbatimit të kontratës për furnizimin e 44 institucioneve arsimore në Komunën e Prishtinës me naftë.

Sipas Aktakuzës ‘HIB Petrol Sh.P.K.’, e kishte mashtruar Komunën e Prishtinës duke i ofruar produktin e naftës që nuk përkonte me kriteret dhe cilësinë e karburanteve të naftës të paraparë me vlerën e konformitetit të lëndës djegëse, duke kaluar deri në 8.0 herë më shumë prezencën e sulfurit në naftë.

Lidhur me këtë akuzë në muajin maj të vitit 2018, Kujtim Bucaliu ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 4 vjet burgim si dhe dënim me gjobë në vlerë 15 mijë euro.

Ndërsa përfaqësuesit juridikë të ‘HIB-Petrol Sh.P.K.’, ishin dënuar me gjobë prej 30 mijë eurove.

Me këtë dënim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit.

Apeli kishte vendosur që kjo çështje të gjykohet edhe një herë.

Pas rigjykimit, Gjykata e Prishtinës me 10 maj të vitit 2019, e kishte liruar nga akuzat për mashtrim drejtorin gjeneral të “HIB-Petrol”, Kujtim Bucaliun.

Me lirimin e Bucaliut nuk ishte pajtuar Prokuroria e Prishtinës, dhe ndaj vendimit për lirim kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas Avokatit Arianit Koci, Apeli pasi ka vlerësuar pretendimet ankimore të Prokurorisë, ka vendosur që ankesën ta refuzojë dhe t’ia vërtetojë pafajësinë Kujtim Bucaliut.

Më poshtë e gjeni postimin e plotë të Avokatit Arianit Koci:

“KOMUNIKATË PËR MEDIA

Pas shumë seancave, dëshmitarëve të dëgjuar dhe shumë provave të administruara nga ana e Gjykatës, ne, Arianit Koci dhe Granit Vokshi, avokatë mbrojtës të të pandehurve Kujtim Bucaliu dhe Hib Petrol Sh.P.K., me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, me anë të kësaj Komunikate për Medie, ju njoftojmë se më 11 nëntor 2019, Gjykata e Apelit të Kosovës, ka Refuzuar Ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë si të pa bazuar.

Ju rikujtojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 6 korrik 2015, kishte ngritur Aktakuzë kundër të pandehurve të lartcekur, nën pretendimin se të njëjtit me vetëdije kanë mashtruar blerësin – Komunën e Prishtinës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Për Krime të Rënda, më 10 maj 2019, kishte nxjerrë Aktgjykim me anë të së cilit të pandehurit z. Kujtim Bucaliu dhe Hib Petrol, liroheshin nga Akuzat me të cilat ngarkoheshin.

Ky Aktgjykim i Gjykatës së Apelit edhe njëherë vërteton pafajësinë e të mbrojturve tanë dhe atë që gjithmonë ne si mbrojtës kemi besuar që nga viti 2015 kur ishte ngritur kjo Aktakuzë”, thuhet në njoftimin e avokatit.