Arkiv - Nga seanca e gjykimit ndaj Asdren Mekajt. Foto: Kallxo.com

Apeli ia vërteton dënimin me burgim djalit të gjykatëses së krimeve të rënda

Avokati Asdren Mekaj përfundimisht është gjetur fajtorë për shantazh.

Gjykata e Apelit, ka vërtetuar aktgjykimi e gjykatës së shkallës së parë me të cilin Asdren Mekaj, tani avokat është dënuar me 14 muaj burgim për veprën penale të shantazhit.

Gjykata e shkallës së dytë e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit Besnik Berisha me të cilën pretendonte se ekzistojnë shkelje procedurale, vërtetim i gabueshëm dhe jo i plotë i gjendjes faktike.

Apeli aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë e mbështeti në tërësi edhe sa i përket vendimit mbi dënimin.

Sipas burimeve të Kallxo.com avokati Asdren Mekaj, është djali i gjykatëses së krimeve të rënda, Nushe Kukaj- Mekaj.

Gjykata kishte gjetur se i akuzuari Asdren Mekaj, gjatë muajve mars-gusht të vitit 2008 me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme kishte kërcënuar të dëmtuarën V. M. se do të zbuloj lidhjen intime që kishin te bashkëshorti dhe familja e saj, me ç’rast e detyron të njëjtën që nga banka të nxjerrë shumën e parave prej 223,580.10 euro dhe ia jep atij për të hapur biznesin.

Gjykata e Prishtinës me datën 20 maj 2019-të, kishte shpallur vendimin me të cilin e kishte dënuar Asdren Mekajn me 14 muaj dënim me burgim për veprën penale të shantazhit.

Poashtu gjykata ia ka shqiptuar edhe dënimin plotësues – konfiskimin e automjetit BMW-X5.

 

Djali i gjykatëses dënohet me burgim për shantazh

.