Apeli ia përgjysmon dënimin me burgim avokatit të dënuar për lajmërim të rremë

Gjykata e Apelit përmes një vendimi ia ka ulur dënimin me burgim efektiv nga 1 vit në 6 muaj avokatit Naser Husaj, i cili ishte shpallur fajtor për lajmërim të rremë të veprave penale.

Apeli po ashtu të njëjtit ia ka ulur edhe dënimin plotësues për ndalimin e ushtrimit të profesionit të avokatisë, nga 3 vite në 1 vit.

Avokati Naser Husaj akuzohej se më 1 gusht të vitit 2016, në Prokurorinë e Pejës ka bërë lajmërim të rremë të personit zyrtar që ka qenë i ngarkuar për të hetuar.

Kështu sipas prokurorisë Husaj e kishte paraqitur gjykatësin e Gjykatës së Pejës, Rrustem Thaçi, edhe pse e ka ditur që i njëjti nuk është kryerës i veprës penale për të cilën e ka raportuar.

Husaj për këtë akuzë ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Pejës, Dega në Deçan, duke u dënuar me 1 vit burim efektiv si dhe me dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të profesionit për 3 vite.

Për këtë vendim ankesë kishte parashtruar prokuroria dhe vetë avokati Husaj.

Sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i gjykatës së shkalles së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as shkelje që kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykatë, pretendimet e lartcekura nuk janë të bazuara. Aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as shkelje të tjera që kjo gjykatë i vëren çdo herë sipas detyrës zyrtare konform dispozitës së nenit 392 të KPPRK-së”, thuhet në arsyetim të vendimit të kësaj gjykatë.

Po ashtu, Gjykata e Apelit ka gjetur se gjendja faktike në këtë rast penale është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë nga gjykata e shkallës së parë.

Ndërsa lidhur me dënimin, Apeli gjen se dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh si dhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 1 viti, është në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të pandehurit dhe intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale.