Apeli ia ashpërson dënimin Skifter Beqirajt për grabitjen e mbi 200 mijë eurove

 

Skifter Beqirajt i është rritur dënimi nga Gjykata e Apelit. Nga 6 vite burgim sa ishte dënuar nga gjykata e Pejës, Apeli i ka rritur dënimin në 7 vjet burgim.

Beqiraj akuzohej për grabitjen e mbi 200 mijë eurove.

Trupi gjykues i përbërë nga Sylë Lokaj, Sami Sharraxhiu e Sejdi Blakaj, e kishte dënuar dënoi Skifter Beqirajn me 6 vjet burgim dhe 3000 gjobë.

Por gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e Prokurorisë se Pejës, i ka shqiptuar Beqirajt dënim me burgim prej 7 viteve.

“Me aprovimin e pjesshëm të ankesës se Prokurorisë Themelore Pejë, aktgjykimi i gjykatës Themelore Pejë, ndryshohet, përkitazi me vendimin mbi dënimin dhe të akuzuarit Skifter Beqiraj, për vepër penale të grabitjes nga neni 329 par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-se, e më afër të përshkruar si në dispozitivin e aktgjykimit i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 7 vite në të cilin dënim do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, ndërsa dënimi i shqiptuar me gjobë në shumë prej 3000 eurove, merret si i vërtetuar”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës se Apelit.

Sipas Apelit dënimi prej 7 viteve është në përpjesëtim me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit.

Ndërsa ankesën e mbrojtësit të akuzuarit Skifter Beqiraj, gjykata, e ka refuzuar si të pabazuar.

Në këtë rast ishte rihapur shqyrtimi gjyqësor, me arsyetimin se janë shfaqur dilema lidhur me mendimin e ekspertëve të Laboratorit të Forenzikës.

Pas rihapjes së shqyrtimit e dëgjimit te ekspertëve të ADN-së, gjykata gjeti fajtor Skifter Beqiraj.

Rasti ka të bëjë me një grabitje në një këmbimore të Pejës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, pasi grabitësit, i akuzuari Beqiraj dhe 3 persona te paidentifikuar, e kanë shtrirë për toke të dëmtuarin Gazmend Gashi, e kishin tërhequr zvarrë viktimën deri në dhomën e pritjes

Dosja e prokurorisë sqaron se ata më pas ia kishin lidhur gojën dhe duart dhe me anë të goditjeve e kishin detyruar që të tregojë se ku e kishte fshehur çelësin e këmbimores nga e cila me pas ia kishin marrë të gjitha paratë.

Sipas prokurorisë, njëri nga anëtarët e grupit, me çelësa në dorë kishte shkuar të këmbimorja “Te Gazi”, dhe kishte arritur t’i marrë paratë në valuta të ndryshme, në vlerë mbi 223 mijë euro.

Aktakuza specifikon se grabitësit arritën t’ia marrin Gazmend Gashit 146,490.00 franga zvicerane, 27,433.00 dollarë amerikanë, 52,090.00 euro, 1,237.23 euro në valuta të ndryshme, mbi 200,000 lekë si dhe ari në vlerë prej 15,000.00 euro.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Prokuroria tregon si iu grabitën pejanit rreth 230 mijë euro

.