Apeli i liron për herë të dytë zyrtarët policorë në Prizren

Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, që të dy zyrtarë policorë, për herë të dytë në muajin mars 2020, janë liruar nga akuzat e shkallës së parë të gjykatës në akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, por pas këtij vendimi, Prokuroria kishte bërë ankesë në gjykatën e Apelit për shkak të dyshimeve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, duke propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të prishet dhe rasti të kthehet në rigjykim.

Mirëpo, gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë, ndërsa e ka vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së Prizrenit.

Në aktgjykimin e gjykatës së Apelit thuhet se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë me prova se të akuzuarit cilën dispozitë ligjore e kanë shkelur dhe se e njëjta gjykatë pajtohet me arsyetimin e dhënë nga shkalla e parë lidhur me bashkëkryerjen, e që ky kolegj konsideron se nuk ka nevojë që arsyetimit të përsëritet.

Sipas gjykatës së Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë dhe se nuk ka shkelje të ligjit penal që do të kushtëzonte anulimin e aktgjykimit.

Edhe vitin e kaluar në muajin prill 2019, gjykata i kishte shpallur të pafajshëm, në mungesë të provave.

Prizren, gjykata liron policët e rastit të vetaksidentit të veturës së pazhdoganuar

Pas ankesës së Prokurorisë, gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Tafolli dhe Rexhep Krasniqi akuzoheshin nga Prokuroria se në vitin 2017, si pjesëtarë të Policisë, pasi e kishin sekuestruar një veturë të vetaksidentuar, nuk kishin hapur rast për aksident dhe më pas e kishin liruar atë.

Që të dy i kanë mohuar akuzat gjatë procesit gjyqësor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, e njëjta veturë nuk është dashur të lirohet nga ana e të pandehurve, por është dashur të dorëzohet në terminalin doganor në Prizren për zhdoganim.

Përfaqësuesja e akuzës, Ervehe Gashi, kishte thënë se në këtë rast të akuzuarit në fjalë kanë bërë favore pasi, sipas saj, nuk kishin shqiptuar tiketë të kundërvajtjes ndaj drejtuesit të automjetit të pazhdoganuar.

Ajo kishte thënë se në ditën kritike të akuzuarit nuk e kanë përmbushur as detyrën e tyre themelore me të cilën, sipas prokurores, ata kanë dështuar ta bëjnë identifikimin e personit të hasur në vetaksident.