I dënuari nga gjykata e shkallës së parë Enver Sekiraqa - FOTO KALLXO - 06.03.2020

Apeli i jep Sekiraqës gjykim të ri por ia vazhdon paraburgimin

Gjykata e Apelit sot  45 ditë nga mbajtja e seancës më 6 mars, mori vendim me të cilin pranoi ankesën e avokates Kosovare Kelmendi, mbrojtëse e të akuzuarit Enver Sekiraqa, duke e kthyer çështjen penale në rigjykim.

Ndonëse Apeli i dha të drejtën Sekiraqës për gjykim të ri në këtë çështje penale i ka vazhduar atij masën e paraburgimit.

Enver Sekiraqa u dënua dy herë nga Gjykata e Prishtinës për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës.

Herën e parë ishte dënuar me 37 vjet burgim ndërsa herën e dytë u dënua me 30 vjet burgim dhe në Gjykatën e Apelit e fitoi betejën për prishjen e këtij vendimi dhe kthimin e lëndës për gjykim të ri.

Sipas aktakuzës, Enver Sekiraqa akuzohet për nxitjen e Arben Berishës për ta vrarë Triumf Rizën me 30 gusht 2007.

Sipas aktakuzës, Triumf Riza ishte vrarë me 30 gusht 2007, kur kishte dalë nga lokali “AM:PM”, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba nga Arben Berisha, 3 prej të cilëve ishin vdekjeprurës për të .

Berisha u dënua me 37 vjet burgim efektiv për vrasjen e Rizës.