Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli i dërgon nga paraburgimi në arrest shtëpiak 5 zyrtarët e Komunës së Pejës të dyshuar për korrupsion

Gjykata e Apelit e ka zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak për 5 zyrtarët e Komunës së Pejës që ishin arrestuar nën dyshimin për korrupsion lidhur me lejet ndërtimore.

Gjykata e Pejës kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj, drejtorit të kadastrës në Pejë Mustafë Nila, drejtorit të Pronës në Pejë Arianit Krasniqi, zyrtarëve Osman Kollqaku, Argjend Lleshi dhe inspektorit të ndërtimit Mentor Beqiri.

Sipas burimeve të KALLXO.com, Gjykata e Apelit duke aprovuar kërkesat e mbrojtësve të pandehurve ka zëvendësuar këtë mase të paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Nila e Lleshi po hetohen për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Prokuroria dyshon se ata kanë mundësuar regjistrimin e një pronë në kundërshtim me legjislacionin që rregullon këtë procedurë e tërë kjo me qëllim të marrjes sa më të shpejtë të lejes ndërtimore nga personat G.Sh. dhe H.K.

Dosja e prokurorisë thotë se dy të pandehurit Nila e Lleshi nuk kanë vepruar në pajtim me vendimin e Komunës që përcakton detyrimin e organeve të komunës për të dërguar për vlerësim të pronës për këmbim pranë organit kompetent.

Sipas Prokurorisë duke mos qenë ky vlerësim në shkresat e lëndës, e si një parregullsi e dukshme, e obligim i tyre për të mënjanuar këtë parregullsi, të dyshuarit lejojnë regjistrimin duke mos kërkuar plotësimin e shkresave me atë të vlerësimit të pronës dhe pagesave për obligimin.

Me këto veprime Mustafë Nila e Arxhend Lleshi po dyshohen se kanë mundësuar regjistrimin e pronës në atë drejtori personave G.Sh. dhe H.K., pa u përmbushur obligimet reciproke dhe pa u përcaktuar vlera reale e pronës se këmbyer e që këto vlerësime sipas prokurorisë janë bërë pasi që është bërë regjistrimi.

Dosja e Prokurorisë thotë se të gjitha këto procedura janë kryer pa u bërë pagesa e vlerës së përcaktuar se pronës së këmbyer, e cila pagesë ka qenë mbi 25 mijë euro.

Sipas hetimeve të Prokurorisë kjo është bërë me qëllim që G.Sh. dhe H.K. të marrin sa me shpejtë lejen ndërtimore.

Krasniqi e Kollqaku po hetohen për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, e që Prokuroria ka kërkuar edhe paraburgimin ndaj tyre.

Prokuroria dyshon se ata me veprimet e tyre kanë dërguar deri të regjistrimi i një pronë në kundërshtim me ligjin.

Dosja e Prokurorisë thotë se të pandehurit kanë hartuar një konkluzion dhe kërkesë për ndarje dhe regjistrim të pronës së këmbyer, edhe pse e kanë ditur se ky regjistrim nuk mund të bëhet pa u bërë paraprakisht vlerësimi i pronave nga Ministria e Financave.

Sipas Prokurorisë ata me këto veprime i kanë mundësuar personave G.Sh. dhe H.K. të regjistrohen si pronar të pronave, e më pas të njëjtit kanë marrë leje për ndërtim.

Sipas Prokurorisë, Beqiri ka qenë i ngarkuar si inspektor për inspektimin e objekteve “NNT Gështenja Ndërtimi” dhe “5 V Home”.

Dosja e prokurorisë thotë se inspektori Beqiri nuk i ka inspektuar fazat e ndërtimit ashtu siç obligohet dhe nuk ka raportuar për parregullsitë e objektit i cili nuk ishte i ndërtuar sipas projektit në pikat gjeodezike të caktuara sipas kushteve dhe lejeve ndërtimore.

Po ashtu sipas Prokurorisë, i pandehuri Mentor Beqiri nuk i ka ndaluar këto punime por ka lejuar vazhdimin e tyre.