Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli ende pa vendim ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë

Janë bërë më shumë së 7 muaj dhe Gjykata e Apelit nuk ka vendosur ende për lëndën e ish-ministrit të Shëndetësisë dhe ish-zëvendësministrit në Qeverinë Haradinaj, Numan Baliq.

Aktakuza e ngarkon ish-ministrin për ngacmim ndaj një praktikanteje të Spitalit të Pejës.

Baliq akuzohet nga Prokuroria e Pejës, se është përfshirë në përcjellje dhe vëmendje të vazhdueshme me qëllim ngacmimi dhe frikësimi ndaj të dëmtuarës S. M.

Sipas dosjes së Prokurorisë, S. M. kishte filluar praktikën në Spitalin Regjional të Pejës, ku i akuzuari ushtron profesion e doktorit.

Me 25 korrik të vitit të kaluar, Gjykata e Pejës e kishte liruar nga akuza Baliqin me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer vepër penale.

Por sipas prokurores së çështjes, Lumturije Hoxha, me provat që ka aktakuza është provuar që i njëjti është penalisht përgjegjës për atë vepër penale.

Ankesa e Prokurorisë së Pejës ndaj aktgjykimit lirues për Numan Baliq, është përpiluar me 17 gusht të vitit të kaluar.

Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim për ankesën e Prokurorisë së Pejës.

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe mjeku i Spitalit të Pejës, Numan Baliq, në gjykimin e tij për ngacmim ishte deklaruar se nuk ndihet fajtor për akuzën që rëndon ndaj tij.

Sipas tij, e dëmtuara në këtë rast, S. M., është keqpërdorur nga kundërshtarët e tij politikë.

Në fjalën përfundimtare, Numan Baliq pati thënë se e dëmtuara është keqpërdorur dhe “ka pranuar të jetë pjesëmarrëse e obstruksionit dhe kampanjës së kundërshtarëve të mi politikë, të cilët kanë për qëllim denigrimin tim moral, politik dhe personal”.

Ish-ministri i Shëndetësisë mohon ta ketë ngacmuar praktikanten e Spitalit të Pejës