I dënuari nga gjykata e shkallës së parë Enver Sekiraqa - FOTO KALLXO - 06.03.2020

Apeli ende nuk ka vendosur për ankesën e Enver Sekiraqës

Janë bërë një muaj nga dita kur Enver Sekiraqa doli para Gjykatës së Apelit për të kërkuar drejtësi për dënimin prej 30 vitesh burgim. Sekiraqa u dënua për herë të dytë me 16 shtator 2019 me 30 vjet burgim, për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza.

Avokatja Kosovare Kelmendi, mbrojtëse e Enver Sekiraqës, kishte ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi mbi të gjitha bazat ligjore.

Apeli me datën 6 mars 2020 mbajti seancën ndaj Sekiraqës e udhëhequr nga Kreshnik Radoniqi kryetar i kolegjit.

Ndërsa gjykatësi Vaton Dërguti, si gjykatës raportues kishte lexuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e avokates Kosovare Kelmendi dhe përgjigjen e Prokurorisë së Apelit.

Pasi mungoi prokurori i Apelit, i dëmtuari Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës, kur mori fjalën tha se nuk ishte i kënaqur aspak me dënimin edhe sikur dënimi i tillë të jetë 40 vjet.

Avokatja Kosovare Kelmendi gjatë elaborimit të ankesës theksoi 2 elemente: Faktin se gjykata është mbështetur në një provë të sajuar lidhur me një telefonatë në kohëzgjatje pre 8 sekondave, e cila ishte zhvilluar në mes Rrahim Abdullahut dhe Arben Berishës; si dhe motivin që përmbante diapozitivi për vrasjen e Rizës.

Më poshtë është deklarimi i avokates Kosovare Kelmendi në seancën para kolegjit të Gjykatës së Apelit.

“Gjykata vendimin e ka marrë mbi prova të sajuara,  sepse në aktgjykim thirret se në ora 15:10 minuta, Rrahim Abdullahu bëri një telefonatë të shkurt për vetëm 8 sekonda me Arben Berishën. Pastaj avokatja Kelmendi vazhdoi se “Nuk është e vërtetë se ka pasur asnjë thirrje në këtë kohë, merrni hulumtoni krejt transkriptet, e telefonave që i keni ju nuk do ta gjeni”.

Tutje avokatja Kelmendi, i është referuar aktgjykimit i cili thotë se “Kjo bisedë ka zgjatur vetëm 8 sekonda, mes Rrahimit dhe Arbenit, dhe ky i fundit pranoi thirrjen u vendos në të njëjtën qelizë me Triumf Rizën”.

Avokatja Kosovare Kelmendi vazhdoi se “Çka ka mund një person të thotë për 8 sekonda?”.

“Ai është këtu dhe unë jam duke e përcjellë, unë jam i ulur dhe jam duke e shikuar atë dhe do të thërras përsëri së shpejti”, tha avokatja në fjalën e saj.

Avokatja Kelmendi kishte thënë  se “Seriozisht nëse e gjeni diku këtë përmbajtje që vet aktgjykimi po tregon se po supozon në mënyrë hipotetike çfarë ka mund m`u bisedu atëherë vërtet nuk ka koment”.

Poashtu në aktgjykimin e atakuar në diapozitiv se si motiv merret shoqërimi i Adelina Ismajlit me tani të ndjerin Triumf Riza.

Kelmendi kishte thënë ne seancë se “Një lloj xhelozie e cila  gjatë shqyrtimit kryesor e gjitha ra në ujë por copëza kryesore mbetet detyrimi i të akuzuarit ndaj Adelina Ismajlit në zhvatje i cili ka rënë tërësisht”.

Gjithashtu avokatja Kosovare Kelmendi ka vazhduar tutje duke i cekur shkeljet e gjykatës se shkallës së parë. Ajo tha se deklaratat e dëshmitarëve as nuk janë lexuar, as nuk propozuar nga asnjëra palë që të konsiderohen të lexuara por që me rastin e përpilimit të aktgjykimit si duket është marrë ‘copy paste’ aktgjykimi i gjyqtarit të EULEX-it ka bartur edhe ato.

Avokatja Kelmendi theksoi se në këtë rast kemi të bëjmë me deklaratën e dëshmitarit Abedin Canolli të dhënë në Polici, e deklarata e të cilit asnjëherë nuk është propozuar të administrohet si provë.

Në këtë seancë Enver Sekiraqa ishte deklaruar se kontributi i tij në këtë ‘vrasje ka qenë zero dhe është zero’.

Seancën e cila zgjati plot 3 orë e udhëhoqi kryetari i kolegjit Kreshnik Radoniqi.

Ndërsa shtjellimin e aktgjykimit, leximin e ankesës dhe përgjigjes e bëri gjykatësi Vaton Dërguti.

KALLXO.com ka pyetur gjykatën e Apelit nëse është marrë ende vendimi por nga zyrtari për informim Arbër Jashari, jemi informuar se nuk është marrë ende vendimi por lënda është duke u proceduar.

Sekiraqa, në maj të vitit 2016 ishte dënuar me 37 vjet burgim për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës.

Ndërsa Arben Berishës, si ekzekutor tani të ndjerit Riza i është shqiptuar dënim me 37 vjet burgim efektiv.

Enver Sekiraqa sipas aktakuzës ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës me datën 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë me datën 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.