FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Apeli e vlerësoi të ‘varfër’ personin me të kaluar kriminale që dyshohet se ia dha 65 mijë euro Lavdim Krasniqit

B. M. është personi që sipas Prokurorisë i kishte dhënë para dhe dhurata në vlerë 65 mijë euro drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për t’ia zbutur dënimin.

Dënimi ndaj tij ishte zbutur edhe përkundër faktit se B. M. kishte të kaluar kriminale pasi kishte qenë i dënuar edhe më parë.

Drejtori Lavdim Krasniqi dyshohet se pasi kishte marrë këto para kishte ushtruar ndikim për uljen e dënimit ndaj B. M.

B. M. ishte dënuar me 4 vite e gjashtë muaj burgim nga Gjykata e Prishtinës, mirëpo ky dënim ishte ulur më vonë gjatë periudhës të cilës sipas Prokurorisë ai i kishte dhënë para Lavdim Krasniqit.

Uljen e dënimit ndaj tij e kishte bërë kolegji i Gjykatës së Apelit i kryesuar nga gjyqtari Xhevdet Abazi me anëtarët Driton Muharremi dhe Afrim Shala.

Ky kolegj e kishte ulur për rreth 1 vit dënimin kundër B. M., pasi e kishte konsideruar të ashpër vendimin e parë me arsyetimin se nuk ishin marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese.

Apeli kishte vlerësuar se nuk ishin marrë për bazë rrethanat se ai është baba i tre fëmijëve, është i papunë, është në gjendje të varfër ekonomike dhe e kishte pranuar fajin për dy prej veprave për të cilat akuzohej.

Mirëpo KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Prishtinës në të cilin shihet se B. M. ishte i gjendjes së mesme ekonomike, gjë që e dallon nga Apeli që e kishte konsideruar në gjendje të varfër.

Madje themelorja i kishte marrë për bazë edhe rrethanat të cilat janë të ngjashme me ato të Apelit që e zbuti dënimin. Rrethanat që u morën për bazë nga shkalla e parë janë faktet se ai ishte mbajtjes i vetëm i familjes, ishte penduar thellë për kryerjen e veprës penale, kishte shprehur keqardhje dhe disa rrethana të tjera që e lehtësojnë pozitën e tij.

Përpos tjerash Gjykata e Prishtinës kishte vlerësuar se nuk ka mundur ta dënoj më pak të akuzuarin B. M., sepse kishte të kaluar kriminale pasi edhe më parë ishte i dënuar për kryerje të veprës penale, që nënkupton se i njëjti ishte recidivist e që në këto raste rëndohet pozita e tij.

Dënimi ndaj tij u zbut brenda periudhës kohore në të cilën Prokuroria pretendon se kishte dhënë para dhe veturë tek Lavdim Krasniqi që të ndikonte për t’iu ulur dënimi.

Mirëpo sipas pretendimeve të Prokurorisë B. M. brenda periudhës kohore kur ishte vlerësuar nga Apeli në gjendje të varfër ekonomike u kishte dhënë para dhe dhurata në vlerë 65 mijë euro drejtorit Lavdim Krasniqi, shoferit dhe asistentes së tij.

Madje dyshimet shkojnë edhe më larg pasi Krasniqi në dosje thuhet se kishte marrë dhurata me pretendimin se ishte në gjendje që të ushtronte ndikim për zbutjen e dënimit edhe në gjyqtarët e Gjykatës Supreme.

Përpos dyshimeve për ushtrim ndikimi ai po dyshohet edhe se përmes shoferit të tij me veturën zyrtare të Këshillit Prokurorial të Kosovës i kishte ndihmuar një të dyshuari për tentim vrasje që të arratisej nga Kosova.

Drejtori Krasniqi dhe shoferi i tij aktualisht po mbahen në paraburgim ndërsa asistentja Marigona Berisha gjendet në arrest shtëpiak.

Lavdim Krasniqi ishte arrestuar me 1 mars të këtij viti. Të nesërmen e arrestimit ai u suspendua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës me 50% të pagës.

Gjykata e konsideroi “të varfër” personin që dyshohet se i dha 65 mijë euro dhurata Lavdim Krasniqit