Gjykimi ndaj komandantëve të UÇK-se për listat e veteranëve - 14.03.2019 - foto KALLXO......

Apeli e vërteton aktakuzën për veteranët

Gjykata e Apelit i ka refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës duke e konfirmuar aktakuzën në rastin e njohur si “Veteranët”.

Përmes një njoftimi për media, Apeli njofton se e ka gjetur të drejtë vendimin e shkallës së parë në lidhej me këtë rast.

“Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës së parë, ka vlerësuar dhe në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme, se kundërshtimet janë të pabazuara dhe se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka prova të mjaftueshme, të pranueshme në aspektin procedural , për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, ndërsa tani nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të cilat mund të hedhet aktakuza“

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Fadil Shurdhaj.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.