Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Apeli e kthen në rivendosje padinë e ish-avokatit komual të Gjakovës ndaj Mimoza Kusari- Lilës

Procesi gjyqësor ndaj Mimoza Kusari- Lilës, e cila është paditur për shpifje nga ish-avokati komunal i Gjakovës është kthyer në rigjykim.

Afrim Radoniqi, ish avokat i Komunës së Gjakovës ka paditur ish-kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila për shpifje dhe për këtë ai po kërkon 50 mijë euro në emër të kompensimit të dëmit moral.

Këtë padi, Afrim Radoniqi e kishte ushtruar nën pretendimet se Kusari-Lila në cilësinë e Kryetare së Gjakovës në një deklarim publik të një emisioni kishte shpifur dhe e kishte fyer atë.

Lidhur me këtë çështje, gjykatësi Besnik Bislimi më datë 10 janar 2018, ka marrë vendim që padia e ushtruar ndaj Kusari- Lilës është e pabazuar.

Mirëpo, i pakënaqur me këtë vendim dhe për shkak se ka konsideruar se ka shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, paditësi Afrim Radoniqi ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Shkalla e dytë i ka cilësuar si të bazuara pretendimet e paditësit me ç’rast ka marrë vendim që ky aktgjykim të prishet dhe çështja të kthehet në rivendosje të Gjykatës së Gjakovës.

Në vendimin që KALLXO.com ka siguruar, Apeli ka vlerësuar se përfundimi dhe vlerësimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje esenciale duke shtuar se faktet janë të pakta dhe kontradiktore si dhe ekzistojnë kundërthënie në mes arsyeve dhe shkresave të lëndës.

Sipas vlerësimit të kolegjit të Apelit të marrë më datë 9 dhjetor 2021, Gjykata e Gjakovës nuk kishte vërtetuar drejtë gjendje faktike.

Gjykata e Gjakovës nuk ka vepruar drejtë kur kishte konstatuar se “Në deklarimet nga e paditura se në Gjykatën e Gjakovës kanë qenë dy aktakuza kundër Afrim Radoniqit për tri vepra penale, andaj fakti se e paditura ka deklaruar se janë ngritur katër aktakuza dhe kanë qenë dy, deklarimet e tilla nuk mund të konsiderohen shpifje dhe fyerje pasi që e njëjta nuk ka përhapur thënie të pavërteta”, thuhet në vijim të arsyetimit.

Një vlerësim të tillë, kolegji nuk e aprovoi pasi që në nenin 9 pika b, të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes është përcaktuar se “Deklaratat e dhëna nuk bartin përgjegjësi në bazë të ligjit nëse i paditur dëshmon se ato janë bërë në cilën do nga rrethanat si në vijim: b) çdo deklaratë e bërë  gjatë punimeve në organet e pushtetit lokal nga anëtarët e këtyre organeve”, citohet në vendimin e Apelit.

Apeli tutje ka gjetur se shkalla e parë nuk kishte dhënë përgjigje të mjaftuara lidhur me pretendim se “Avokati publik Afrim Radoniqi është bërë milioner me pronat e Komunës, se ndaj tij janë ngritur tri aktakuza për vepra penale”.

Kontradiktore për Apelin u konsideruan edhe deklarimet se e paditura në përgjigjën në padi fillimisht kishte raportuar për katër aktakuza të ngritura ndaj paditësit, ndërkaq në seancën e datës 22 nëntor 2017, e njëjta kishte deklaruar se nuk i kujtohej saktë sa padi ishin, mirëpo ishte informuar që ka pasur procedurë penale.

Shkalla e parë udhëzohet të bëjë eliminimin e të metave, të konstatojë drejtë gjendjen faktike, të nxjerrë një vendim të drejtë të ligjshëm dhe të mirë arsyetuar në këtë çështje kontestimore përfundon aktgjykimi i Apelit.

Sipas padisë, Mimoza Kusari- Lila në cilësinë e Kryetares së Gjakovës e ftuar në emisionin “PULS” të KTV-së kishte deklaruar se ndaj avokatit publik Afrim Radoniqi janë ngritur katër aktakuza, përmes të cilave deklarata paditësi pretendon se e paditura Kusari- Lila ka kryer aktin e shpifjes me të cilën i ka shkaktuar dëm material dhe moral.

Sipas pretendimeve të paditësit, për motive politike dhe hakmarrje personale duke e përdorur qasjen në mediat publike Kusari –Lila, me datë 12 tetor 2015, në emisionin “PULS” të KTV-së dhe në emisionin “Rubikon” me datë 25 nëntor 2015 publikon fakte linçuese, deklarata të pavërteta dhe shpifëse ndaj tij.

Tutje paditësi ka vlerësuar se këto veprime kanë rezultuar me cenimin e reputacionit, autoritetin dhe nderin, cenimin e shëndetit shpirtëror si dhe i ka shkaktuar frikë të intensitetit të lartë.

Përmes kësaj padie ish avokati publik i Komunës, Radoniqi  ka kërkuar nga  ish kryetarja e Gjakovës që si përgjegjëse në kuptimin objektiv, t’i kompensojë paditësit dëmin material dhe moral të shkaktuar nga shpifja në shumë prej 50,000.00 euro si dhe shpenzimet procedurale.