
Donjeta Pajazitaj - Foto: Facebook
Apeli e anulon dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naser Pajazitajt
Gjykata e Apelit ka vendosur që ta anuloj dënimin me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Ferizajt ndaj Naser Pajazitajt, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn.
Anulimi i aktgjykimit të Gjykatës së Ferizajt erdhi pasi që Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësve të të akuzuarit, gjeti se ankesa është e bazuar, pasi që sipas Apelit, aktgjykimi i Gjykatës së Ferizajt është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e po ashtu mbështetet edhe në prova të papranueshme.
Lajmi për anulimin e dënimit me burgim të përjetshëm dhe kthimin e rastit në rigjykim është bërë i ditur përmes një komunikate për media të Gjyaktës së Apelit.
Sipas Prokurorisë përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, dhe më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.
Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.
Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.
Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda u gjykua në Gjykatën e Ferizajt.
Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast: LINK