Apeli ashpërson dënimin e ish-zyrtarit komunal të Klinës

Gjykata e Apelit e ka ashpërsuar vendimin e Gjykatës së Pejës ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Klinës, Valdet Berisha, i akuzuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Valdet Berisha akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në vitin 2015 në Klinë regjistron në sistem të dhënat e një personi edhe pse i njëjti nuk ka qenë fare i regjistruar në librat amzë.

Me këto veprime i ka mundësuar Qatip Pucit, shtetas i Republikës se Shqipërisë, fitimin e shtetësisë kosovare.

Shkalla e parë e kishte dënuar Berishën me 6 muaj burgim por që me pëlqimin e tij dënimi me burgim është kthyer në dënim me gjobë në shumën 1,500 euro.

Gjykata e Apelit e ka rritur dënimin me gjobë në vlerën 2,500 euro.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit edhe pse i pandehuri e ka pranuar fajësinë, është penduar për veprën e kryer, ankesa me të drejtë vlerëson se nuk është marrë parasysh rrethana se i pandehuri ka qenë edhe më parë i dënuar. Nuk janë vlerësuar karakteristikat personale të pandehurit, sjelljen e të pandehurit pas kryerjes së veprës penale, e cila rrethanë nuk është vlerësuar drejt nga gjykata e shkallës së parë dhe Gjykata e Apelit duke marrë parasysh se dënimi i shqiptuar me gjobë nuk është në përpjesëtim me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të pandehurit, Gjykata e Apelit e ndryshon aktgjykimin lidhur me vendimin mbi dënim ashtu siç është kërkuar në ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.