Apeli aprovon ankesën e ‘Monego’-s

 

Gjykata e Apelit me datën 24 janar 2020, kishte aprovuar ankesën e përfaqësuesit të Institucionit financiar Jobankar “Monego” dhe kishte anuluar vendimin e Gjykatës së shkallës së parë duke e kthyer çështjen në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata e shkallës së parë  me datën 20 dhjetor 2019,  kishte refuzuar kërkesën e Institucionit Financiar Jobankar “Monego” për  shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, derisa gjykata të vendoste në mënyrë meritore për padinë e ushtruar.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë këtë vendimin me të cilin refuzoi kërkesën për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të BQK-së, e kishte marrë për shkak se po i shkaktohej dëm interesit të përgjithshëm.

Por, gjykata e shkallës së parë nuk kishte arritur të arsyetonte se në rastin e tillë  kur refuzon kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, për shkak se është në kundërshtim me interesin publik është e detyruar të theksoj se në çka konsiston (qëndron) kundërshtimi i interesit publik.

Poashtu, nëse kërkesën e refuzon për shkak se me shtyrjen e ekzekutimit do t`i shkaktohej palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar dëm i madh, i cili vështirë do të riparohej, Gjykata duhet të theksoj të dhënat nga të cilat shihet se në çka qëndron ai dëm, dhe se ai dëm është i njëjtë, ose më i madh se dëmi që do t`i shkaktohej paditësit me ekzekutimin e aktit administrativ, ose në të vërtetë është vështirë të riparohet ai dëm.

Pra, për shkak të qëndrimit të gabuar juridik dhe mos arsyetimit të aktvendimit të ankimuar, se masa e përkohshme e propozuar nuk guxon të përfshijë kërkesëpadinë, gjykata e shkallës së parë ka lëshuar të vlerësoj theksimet e paditësit se a janë plotësuar në mënyrë komulative kushtet për miratimin e masës së përkohshme të propozuar.

Me 6 dhjetor 2019, guvernatori i Bankës Qendrore Fehmi Mehmeti, në një konferencë të jashtëzakonshme kishte deklaruar se arsyeja e revokimit të liçencave të regjistrimit të institucioneve “Monego” dhe “Iute Credit” ishte  caktimi i normave të interesit të kredive jashtë çdo standardi.

Tutje guvernatori Mehmeti kishte thënë se “Gjatë këtyre viteve të operimit të tyre në Kosovës këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga këto plane të biznesit duke i sjell tregut diçka tjetër nga ajo që kishin premtuar. Devijimi më shqetësues ka të bëj me normën e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë rezultu të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në planin e tyre të biznesit, dhe me mesataren e normave të tjera të interesit në Kosovë”.

Ndërsa zv/guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli pati numëruar arsyet për të cilat këtyre dy institucioneve, “Monego” dhe “Iute Credit” iu është tërhequr liçenca. Ai ka treguar se BQK ka kryer dy ekzaminime të fokusuara në institucionet “Monego” dhe “Iute Credit”.

Dy ekzaminimet kishin rezultuar se “Monego” dhe “Iute Credit” kishin dështuar të zbatojnë urdhërin e BQK-së për zbatimin e planit të biznesit për të cilin edhe ishin regjistrua më gjerësisht mund të lexoni në këtë LINK.