Foto: Bujar Nerojvaj/Facebook

Anulohet vendimi i Gjykatës së Prizrenit, rasti i Zëvendës Ministrit kthehet në rigjykim

Gjykimi i ish-Zëvendës Ministrit në qeverinë Haradinaj, Bujar Nerjovaj, do të nisë nga zero pas një vendimi të Gjykatës së Apelit.

Më 3 qershor të këtij viti Gjykata e Prizrenit e kishte shpallur fajtor Bujar Nerjovaj, që atë kohë mbante pozitën e zëvendësministrit, dhe e kishte dënuar me dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Nerjovaj akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare për 4 objekte hoteliere që gjenden të gjitha në Zonën Historike të Prizrenit, respektivisht në Shadërvan, gjatë kohës sa ishte drejtor i Drejtorisë së Inspektorateve në komunën e Prizrenit.

Vetëm dy ditë pas këtij vendimi Nerjovaj, që vjen nga partia e Ramush Haradinajt, AAK, kishte ofruar dorëheqje nga posti i Zëvendës Ministrit të Administratës Publike.

“Ofrimi i dorëheqjes sime është i karakterit moral dhe për të treguar respektin tim të thellë ndaj Kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj dhe Qeverisë  së Kosovës, organeve të drejtësisë së vendit tim dhe proceseve në të cilat ndodhet vendi im dhe si një praktikë e mirë për t`u përballur në vazhdim i pa ndikuar në procesin e mëtutjeshëm për kërkimin e pafajësinë time”, kishte thënë Nerjovaj.

KALLXO.com mëson se më 21 nëntor, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të Nerjovajt avokatit Blerim Mazreku, dhe e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së Prizrenit duke e kthyer rastin në rigjykim.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës së Prizrenit është i përfshirë me shkelje esenciale të procedurës penale, që kanë ndikuar në vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

“Gjykata e Prizrenit aktgjykimin e ka bazuar kryesisht në dëshminë e dëshmitarëve Ruzdhi Daka dhe Nexhmedin Musliu, të cilët në fillim kanë qenë të dyshuar së bashku me të akuzuarin Bujar (Nerjovaj), ndërsa nuk ka dhënë arsye pse nuk ia fal besimin dëshmisë së dëshmitarit Fail Hoxha i cili ka qenë koordinator i inspektorëve dhe i cili ka shpjeguar procedurat se kush është kompetent për zbatimin e konkluzioneve për rrënim”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjatë rigjykimit, Gjykata e Prizrenit duhet t’i vlerësojë ligjet që rregullojnë përgjegjësitë – kompetencat e Drejtorit të Inspektoratit pozitë të cilën e ka pasur i akuzuari Bujar Nerjovaj.

Gjykata e Apelit ka gjetur se arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së parë është i pamjaftueshëm, dhe si i tillë është dashur të anulohet dhe rasti të kthehet në rigjykim.

Objekt i aktakuzës së Prokurorisë janë 4 objekte hoteliere që gjenden të gjitha në zonën historike të Prizrenit, respektivisht në Shadërvan të Prizrenit.

Bujar Nerjovaj më parë në një deklarim të tij për KALLXO.com, e kishte quajtur të pakuptimtë, aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria në Prizren për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, në kohën sa ishte drejtor i Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren.

Sipas aktakuzës, ish-drejtori Nerjovaj, në vazhdimësi në periudhën kohore 05.12.2011 e deri më 21.02.2013, pasi që është njoftuar me konkluzionet e inspektorëve të ndërtimtarisë, nuk i ka ndërmarrë masat për t`i siguruar kushtet adekuate për ekzekutimin e konkluzionit të inspektorëve.

Në bazë të këtyre konkluzioneve të inspektoratit, Prokuroria e Prizrenit pretendon se Nerjovaj si drejtor i Inspektoratit, është dashur të bëjë rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimit në objektet hoteliere si në vijim: Hotel ”Shadërvan”, hotel ”Classic”,  hotel “Centrum” (të gjitha këto me mbindërtime ) si dhe rrënimi i hotel ”Kaçinari” (sipas aktakuzës i ndërtuar pa leje) të gjitha në Prizren, si dhe objektet hoteliere në fjalë, të gjitha me lokacion gjenden në zonën e parë të Qendrës Historike në Prizren.

Sipas aktakuzës me mosveprimin e ish-drejtorit Nerjovaj është dëmtuar kujtesa kolektive e qytetit, në këtë kuadër është dëmtuar edhe trashëgimia kulturore e arkitekturës për të cilën kujdeset Zyra e Qendrës Historike të Prizrenit.