(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Anulohet seanca ndaj Shaban Gogajt, avokati i angazhuar në një seancë tjetër

Procesi gjyqësor ndaj Shaban Gogajt ka dështuar të vazhdojë edhe sot pranë Gjykatës së Pejës.

Kjo për shkak se avokati i caktuar nga gjykata për Shaban Gogaj nuk është paraqitur në seancë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.

Zhuti tha se seanca është anuluar nga gjykata për shkak se avokati Gani Kelmendi ka njoftuar gjykatën se është i angazhuar në një seancë tjetër.

Ky proces gjyqësor është duke u përshkruar me zvarritje të shumta të cilat i gjeni në këtë LINK.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.