Gazmend Muhaxheri, kryetar i Pejës dhe Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Pejës Foto: Facebook
Anulohet seanca ndaj ish-shefit të kabinetit në Komunën e Pejës
Gjykata e Pejës e ka anuluar seancën e sotme ndaj ish-shefit të kabinetit në Komunën e Pejës, Durim Sheremeti i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Krahas tij si të akuzuar për këtë rast janë edhe Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala, po ashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe i akuzuari Ilir Kelmendi për mashtrim.
Seanca e sotme është anuluar për shkak të gjendjes me pandeminë.
Kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu tha për KALLXO.com se për shkak të numrit të madh të të akuzuarve e pas parasysh gjendjen me pandeminë, është anuluar kjo seancë.
Gjyqtari tha se seanca është shtyrë në afat të pacaktuar.
Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit.
Gjykata e Pejës e kishte shpallur fajtor ish-shefin e kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Durim Sheremetin, për keqpërdorim detyre. Ai u dënua së bashku me disa zyrtarë të tjerë të komunës që po akuzohen lidhur me një tender të shpallur nga Komuna e Pejës. Në këtë rast u dënua edhe pronari i kompanisë që kishte fituar tenderin.
Durim Sheremetit nga Gjykata i ishte ndaluar ushtrimi i profesionit në administratën publike për 2 vite. Sheremetit i ishte shqiptuar edhe dënimi me burg prej 6 muajsh, i cili me pëlqimin e tij ishte zëvendësuar me gjobë prej 7,000 mijë eurosh.
Fajtorë u shpallën edhe 3 zyrtarët komunalë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala dhe biznesmeni, Ilir Kelmendi.
Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara e Gëzim Shala u dënuan secili me nga 6 muaj burg me kusht që për 1 vit të mos kryejnë vepra të tjera penale.
Ilir Kelmendi u dënua me dënim me burg prej 6 muajve që me pëlqimin e tij mund të zëvendësohet me gjobë prej 5,000 mijë euro si dhe dënim me gjobë prej 2,000 euro.
Kelmendit sipas dispozitave për dënim unik, mund t’i shqiptohej dënimi prej 7,000 eurove.
Sipas aktakuzës të Prokurorisë se Pejës, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11,929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.
Sheremeti sipas Dosjes së Prokurorisë ka nënshkruar raportin në emër të Organit Mbikëqyrës – menaxherit të projektit Faik Zekaj, i cili me vendim të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka qenë i emëruar menaxher i projektit në fjalë.
Sipas Prokurorisë, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.
Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dy mijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9,929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9,929.41 eurove.
Sipas aktakuzës, zyrtarët komunal Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.
Aktakuza pretendon se të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9,929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9,929.41 eurove.
Në anën tjetër, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, pasi që si pronar firmës “Green Construcion-Shpk”, duke paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore prej 9,929.41 eurove.