
Arkiv - Foto: KALLXO.com
Anulohet seanca fillestare ndaj të akuzuarit për vrasjen e gruas së tij në Pejë
Seanca fillesatre ndaj Edmond Lajqit, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Gj. U. në Pejë, nuk është mbajtur të martën më 17.12.2024.
Anulimi i seancës erdhi për arsye shëndetësore të avokates së të akuzuarit, Zana Krasniqi.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Elzana Kastrati.
Aktakuza ndaj të akuzuarit Edmond Lajqi për vrasjen e gruas së tij në Pejë, është ngritur tetë muaj pas rastit të vrasjes.
Sipas komunikatës së Prokurorisë Edmond Lajqi më datë 16.04.2024, rreth orës 8:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Pejë, ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gjyljeta Ukella.
Këtë veprim sipas organit të ndjekjes i akuzuari e ka ndërmarrë për shkak të problemeve të vazhdueshme që i njëjti kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike me herët.
“Edmond Lajqi ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gjyljeta Ukella, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i pandehuri kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike me herët, kurse, ditën kritike i pandehuri E. L., me armë zjarri ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës”- thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Pejës të datës 19.11.2024.
Gjithnjë sipas organit të ndjekjes, më pas i pandehuri theksohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes dhe të jetë paraqitur në Stacionin Policor të Pejës, ku i ka njoftuar zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe dërgoje një patrullë të Policisë”.
Komunikata potencon se përveç akuzës për kryerjen e veprës penale “Vrasje e Rëndë”, i akuzuari ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Raportimet paraprake të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni këtu.