Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ankimohet vendimi i Gjykatës së Gjakovës për refuzimin e padisë për shpifje ndaj Mimoza Kusari- Lila

Gjykata e Gjakovës kishte refuzuar si të pabazuar padinë për shpifje të Dervish Tahirit ndaj Mimoza Kusari- Lilës.

Gjykata kishte vlerësuar se e paditura Mimoza Kusari- Lila nuk ka cenuar integritetin e paditësit, por e njëjta është deklaruar në mbledhje të Komunës së Gjakovës për çështje me interes publik.

Sipas Gjykatës, një refuzim i tillë është bërë me arsyetimin se pretendimet e padisë kanë qenë të pabazuara dhe se të njëjtat nuk kanë arritur të argumentohen përmes fakteve.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur në këtë rast përfaqësuesi i autorizuar i paditësit Dervish Tahiri, avokati Meshari Selimaj, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Në ankesë, ai ka kërkuar që të prishet aktgjykimi i shkallës së parë dhe lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Selimaj, në ankesë ka pretenduar se ka shkelje të dispozitave të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.

Duke arsyetuar këto pretendime, Selimaj ka thënë se aktgjykimi që është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore vërtetohet me faktin se gjykata ka refuzuar dëgjimin e palëve ndërgjygjëse duke mos e arsyetuar.

Në këtë rast, paditësi Dervish Tahiri po kërkon kompensim dëmi nga e paditura Mimoza Kusari- Lila.

Sipas padisë në një mbledhje të Komunës së Gjakovës në mars të vitit 2019, e paditura Kusari- Lila i është drejtuar paditësit Tahiri me fjalët: “Ku është Dervish Tahiri, le të del të tregon se cilat marrëveshje i ka bërë me krejt ata pronarë për ndërtim”.

Në padi thuhet se e njëjta këto fjalë i ka thënë derisa ka qenë prezente si qytetare gjatë një debati për shpalljen me interes publik të monumentit kulturor dhe historik të kullës “Sylejman Vokshi”.

Padia thotë se e njëjta kishte ndërhyrë pa të drejtën e fjalës duke e ngritur zërin dhe me një gjuhë shpifëse e fyese.

Sipas padisë së Dervish Tahirit, kjo gjuhë fyese është në kundërshtim me Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, me të cilën gjuhë paditësi pretendon se të njëjtit i ka shkaktuar dëm në integritetin personal e profesional të tij, pasi që 19 vite punon në administratën e Komunës së Gjakovës.