Foto-ilustrim

Anëtari i grupit rrëfen për vrasjen me pagesë në Deçan

Procesi gjyqësor në Gjykatën e Pejës për vrasjen e Ferdinand Gjinit po i afrohet fundit.

Në këtë rast, Bekim Raja, Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, akuzohen se duke vepruar në bashkim kriminal, në qershor të vitit 2014 e kanë vrarë Ferdinand Gjinin.

Për vrasjen e Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg.

Pas këtij dënimi, Pnishi ka bashkëpunuar me Prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke dhënë emrat e të akuzuarve të tjerë, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

Për disa ditë radhazi të akuzuarit kanë dhënë mbrojtjen.

Gjon Pnishi rrëfeu para trupit gjykues momentin prej njohjes me Bekim Rajën e deri në përfundim të ngjarjes, qe përfundoi me vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Sipas Pnishit, në Zvicër, i akuzuari Raja i ka kërkuar qe t’ia përcjell Avni Sinanajt porosinë se “a mundesh me ma vra Ferdinand Gjinin”.

Pnishi duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Ndrec Dodajt, tha se një muaj para se ai të kthehej nga Zvicra në Kosovë, saktësisht në korrik të vitit 2012, Raja i kishte premtuar atij 50 mijë franga për bartje të porosisë për vrasjen, gjersa 50 mijë franga tjera për të akuzuarin Avni Sinanaj.

“Pas një jave që jam kthyer në Kosovë jam takuar me Avninë në Deçan, dhe ia kam përcjell porosinë. Avnia tha se e kryer është kjo punë”, deklaroi tutje Pnishi.

I akuzuari Pnishi pretendoi se u kishte thënë të akuzuarve Avni Sinanaj dhe Bekim Raja se ai nuk vret njerëz me pagesë.

“Unë Avnisë dhe Bekimit i kam thënë se unë me pare nuk vraj njerëz, se me pasë konë me vra e kisha vra vetë, nuk i kisha thanë Avnisë”, tha Gjon Pnishi.

“A ki përfituar diçka pas vrasjes?”, u pyet i akuzuari nga avokati i tij.

“Nja dy ose tri ditë para se me u arrestu unë, ka ardhë D1 (dëshmitari bashkëpunues) dhe m’i ka pru 20 mijë franga, ku me tha se t’i ka çu Bekim Raja, sepse unë në atë kohë kam qenë në arrati”, u përgjigj Pnishi.

Tutje, i akuzuari tregoi për planin që kishin për të ndjekur ai dhe të akuzuarit e tjerë në ditën kur u vra Ferdinand Gjini.

I akuzuari tha se nuk e dinte se ka qenë e planifikuar vrasja e Ferdinand Gjinit.

“Po një natë para vrasjes në kerr timin kur kam qenë me Avninë të kazino e Ferdinandit, plani i Avnisë ka qenë me shku në fshatin Isniq m’i marrë 50 kg bari, dhe më ka thënë mos hajdeni nëpër Deçan po hajdeni nëpër disa fshatra të Deçanit, dhe na ka thënë telefona mos merrni puna e Policisë. Ferdinandit i ka thënë të prinë Gjoni me kerr, se me pa Policia rrugës e bon ndonjë X, dhe atë e ndalin e ty jo” , tha Pnishi.

Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë

Tutje i akuzuar, tregoi për momentin e vrasjes së Ferdinand Gjinit, që sipas tij nuk e ka ditur se do të ndodhte.

“Unë s’kam mujtë me vërejt kerkond. Kur jam dal në qosh të urës kanë qenë do stome të vegjël, qaty e kam pa Muratin me Kallash në dorë, nuk ka pasë maskë… Ferdinandi u desht me konë përafërsisht në dalje të urës dhe Murati ka qitë në të. Gjuajtjet kanë qenë dy herësh, sa unë muj me ditë kerri i Ferdinandit ka shku në krahun e djathtë të urës. E kam kthyer kryet në xham e kam parë Muratin kur ka dalë prej stomit dhe ka shku të kerri i Ferdinandit dhe e ka marrë një çantë të dorës në kerr të tij dhe ka ikë”, tha i akuzuari.

Gjon Pnishi tha se pasi qe kishte ndodhur vrasja e Ferdinand Gjinit ishte takuar në shtëpinë e tij më vëllezërit Sinanaj, ku sipas tij u ishte drejtuar me fjalët: “Pse e vratë njërin? Me keni pre në besë!”.

Avokati kërkoi që i mbrojturi i tij t’i sqarojë atij dhe personave prezentë në sallë kuptimin e fjalëve “më keni pre në besë”.

“E vrajtën njeriun, unë s’e kam ditë që kanë me vra, prandaj i thash me keni pre në besë”, tha ai.

Tutje i akuzuari Gjon Pnishi, me kërkesë të mbrojtësit të tij, shpjegoi edhe ecurinë lidhur me largimin e mbrojtësit Ndrec Dodaj, duke e zëvendësuar atë me avokatin Haxhi Çekaj nga Deçani.

“Unë nuk kam dashtë me e largu Ndrec Dodajn prej këtij rasti, dhe pastaj më ka ardhur avokati Haxhi Çekaj të cilin e kanë dërguar Bekimi dhe D1”, tha i akuzuari.

Pnishi tha se avokati Haxhi Çekaj i kishte premtuar atij se ditën e shpalljes se aktgjykimit ai do të lirohej nga akuza. Po ashtu, sipas të akuzuarit, avokati Çekaj për mbrojtjen e tij ishte paguar nga Bekim Raja me të holla prej 20 mijë eurove.

“Premtimet kanë qenë prej Haxhise se ditën e shpalljes kam me u liru, e pastaj kur u dënova e kam thirr me telefon Haxhi Çekajn dhe i kam thënë ti më nuk je avokati jem kurrë edhe e kam shajtë shumë keq se më ka rrejtë prej fillimit deri në mbarim. E kam thirrë Ndrecën në telefon dhe fjala e parë që më ka thënë është: “A ta kajtën nanën?”. I thash prej sot je avokat i jemi”, tha tutje Pnishi.

Lidhur me çështjen e kërcënimeve pasi që ai kishte dhënë për Prokurorinë emrat e të akuzuarve të tjerë, Pnishi tha se kishte pasur sulm në shtëpinë e tij dhe atë sipas tij nuk mund të akuzojë askënd pos të akuzuarin Avni Sinanaj.

I pyetur nga Kosovare Kelmendi se pse ai e kishte bartur porosinë për vrasjen e Ferdinand Gjinit, ai tha se “për këtë jam tu hangër burg, se vrasje nuk kam bërë”.

Avokatja e ballafaqoi të akuzuarin Gjon Pnishi me një deklarim të një dëshmitari të mbrojtur ku ai kishte deklaruar se në një ndejë private në anije, i akuzuari Gjon i kishte thënë Bekim Rajës se unë ta kryej këtë vrasje, e që ky i fundit i ka thënë Pnishit se ai i qëndron mbrapa atij.

Këtu, Pnishi tha se nuk dëshiron ta komentojë këtë gjë.

Në shumicën e pyetjeve të mbrojtësve të të akuzuarve të tjerë, Pnishi tha se nuk ka përgjigje dhe atë me arsyetimin se është përgjigjur njëherë.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangash zvicerane.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj.