Aleksandër Lumezi - Kryeprokuror i Shtetit - FOTO KALLXO - 10.04.2019

Aleksander Lumezi nuk merret me prononcimet politike të Albin Kurtit

Ditë më parë në mediat tona bëri bujë një deklaratë e kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në një takim me disa qytetarë ka deklaruar se në rast se Lëvizja Vetëvendosje vije në pushtet, kjo parti menjëherë do ta kthej ish-prokurorin e dorëhequr Elez Blakaj në Kosovë dhe se askush nuk do të guxojë ta përndjekë a kërcënojë.

“Ne Elez Blakajn e kthejmë menjëherë në Kosovë. Edhe s’ka me pasë as politikanë edhe as jo-politikanë, as mujsharë shpërdorues, as kriminelë e të korruptuar që do të guxojë ta përndjekë e ta kërcënojë, as publikisht e as privatisht. Elez Blakajn si simbol do ta kthejmë në Republikën e Kosovës dhe do ta bëjmë kryeprokurorin e shtetit e prokurorët që e luftojnë krimin e korrupsionin”, kishte deklaruar Kurti para qytetarëve.

Lidhur me deklaratën e Kurtit, KALLXO.com ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin, i cili nuk është lëshuar në komente duke thënë se Prokuroria e Shtetit nuk merret me deklaratat e partive politike të cilat jepen në prag të zgjedhjeve.

“Institucioni i Prokurorit të Shtetit nuk është organizatë politike dhe nuk merrem me prononcimet politike të cilat bëhen gjatë kampanjës zgjedhore”, ka thënë për KALLXO.com Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi.

Lidhur me po këtë deklaratë të Kurtit, Lumezi ka thënë se sipas tij nuk është fare korrekte të flitet për institucionet të cilat janë të pavarura dhe se duhet të dihen përgjegjësitë dhe kompetencat e gjithësecilit.

“Së pari nuk është korrekte të flitet për institucionet që janë të pavarura me Kushtetutë dhe duhet të dihen përgjegjësitë dhe kompetencat e funksionit të cilin pretendojnë ta fitojnë”, shtoi më tej Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi.

Elez Blakaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit special në gusht të vitit të kaluar dhe ishte larguar nga Kosova, pasi është ankuar për presion gjatë punës së tij.

Ish-prokurori Blakaj ishte duke hetuar dyshimet për keqpërdorime në listat e veteranëve të UÇK-së, ndërsa është marrë edhe me disa raste të gjykimeve për terrorizëm.