Albulena Haxhiu shfuqizon vendimin e Dhurata Hoxhës për shtesat mujore prej 500 euro për Kryeinspektorin e MD-së

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot përmes një vendimi e ka shfuqizuar vendimin e ish ministres Dhurata Hoxha lidhur me shtesën mujore prej 500 eurosh mbi pagën bazë për Kryeinspektorin e Inspektoratit të MD-së.

Sipas Ministres Haxhiu, nga ky vendim i shfuqizuar, Kryeinspektori në mënyrë të paligjshme ka përfituar rreth 17.500 euro.

Ajo në këtë vendim ka paralajmëruar se rasti do t`i dërgohet edhe Prokurorisë kompetente.

“Shfuqizohet vendimi i datës 19.05.2017, përkitazi me caktimin e shtesës në të ardhura personale për kryeinspektorin e Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në vendimin e publikuar nga Ministria.

Shtesa prej 500 euro në muaj i ishte ndarë kryeinspektorit nga ish-ministrja Dhurata Hoxha, për shkak të rëndësisë dhe kushteve të veçanta të punës.

Një vendim i tillë sipas Ministrisë se Drejtësisë të udhëhequr nga Albulena Haxhiu është krejtësisht i paligjshëm.

Sipas vendimit të Ministres Haxhiu, rrezikshmëria si kategori i paraprinë për nga rëndësia kategorisë së kushteve të veçanta dhe rëndësisë se punës.

Arsyetimi i këtij vendimi për shfuqizim të Ministres së Drejtësisë, qëndron se kategoria e rrezikshmërisë në punë paguhet si shtesë maksimalisht 107 euro në muaj, andaj “pagesa prej 500 eurove nuk ka asnjë bazë ligjore ose nënligjore dhe për nga rëndësia paradoksalisht paguhet rreth 5 herë më shumë së kategoria e rrezikshmërisë për punë”.