Albert Zogaj: Vettingu duhet të jetë mundësi e fundit për kontrollin e gjyqësorit

Albert Zogaj, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), gjatë një interviste ka folur për procesin e Vettingut.

Zogaj në intervistën e publikuar në faqen e Këshillit Gjyqësor në Facebook tha se KGjK-ja ka marrë pjesë në grupin punues për koncept-dokumentin e Vettingut, duke  paraqitur një analizë të tërësishme  lidhur me çështjet gjyqësore që duhet të adresohen por përmes mekanizmave të brendshëm të KGjK-së por kjo përgjigje fare nuk është marrë parasysh nga Ministria e Drejtësisë.

Këshilli Gjyqësor do ta diskutojë ftesën e Ministrisë së Drejtësisë për amendamentet kushtetuese dhe ligjet e tjera.

“Përfundimisht ne kemi vendosur që të mos marrim pjesë në këtë proces dhe arsyeja qëndron në faktin se është një proces krejtësisht i paragjykuar”, tha Zogaj.

Këtë vendim Këshilli Gjyqësor e kishte marrë në mbledhjen e 1 nëntorit kur vendosi me vota unanime që të mos dërgojë përfaqësues nga KGjK-ja në grupin punues të Ministrisë së Drejtësisë.

“Kushtetuta ka dhënë garanci për pavarësi të gjyqësorit por edhe për ndarjen e pushteteve dhe kur bëhet fjalë për pavarësinë e gjyqësorit duhet të ketë kontroll të trefishtë”, tha Zogaj.

Procesi i Vettingut e ka të pamundur të realizohet  për shkak të pavarësisë që e ka gjyqësori, shtoi tutje Zogaj.

Sipas Zogajt, KGJK-ja nuk do të marrë pjesë në grupin punues për Vetting pasi edhe Raporti i Progresit ka paraparë që Vettingu të jetë alternativa e fundit për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me gjyqësorin.

Tutje Zogaj tha se KGjK-ja është e gatshme të bashkëpunojë me Qeverinë dhe Kuvendin për adresimin e disa çështjeve por gjithmonë nga mekanizmat e brendshëm por assesi nga kontrolli i jashtëm sepse kjo s’mund të kuptohet ndryshe pos përpjekje pë të ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit.