Nexhat Çoçaj

Alarmi i Prokurorit: Zvarritja e gjykimit ndaj Nexhat Çoçajt mund ta çojë rastin në parashkrim

Ish-drejtorit të Arsimit në komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, është afër që t’i vjetërsohet edhe vepra e tretë penale për të cilën po ngarkohet nga Prokuroria pasi gjykimi maratonik ndaj tij nuk ka përfunduar ende për shkak të përmbysjeve të vendimeve të gjykatës.

Në dhjetor të vitit 2014 Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt që mbante pozitën e Drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit në kohën kur kjo komunë drejtohej nga Ramadan Muja i PDK-së.

Nexhat Çoçaj ngarkohej me 5 pika të aktakuzës, nën dyshimet se keqpërdori për 5 vjet rresht përgjatë viteve 2008 – 2012 me manifestimin “Remzi Ademaj”, të mbështetur nga Komuna e Prizrenit.

Ai dyshohet se gjatë pesë viteve të manifestimit të javës “Remzi Ademaj” keqpërdori 61,303 euro, ndërsa bashkë me Çoçajn akuzohen edhe dy mësimdhënësit Bedri Çejku dhe Bekim Thaçi.

Në vitin  2015 kanë filluar “maratonat” e gjykimit ndaj Nexhat Çoçajt dhe dy mësimdhënësve Bekim Thaçi e Bedri Çeku.

Që atëherë ndaj tre të akuzuarve janë zhvilluar dy procese gjyqësore në Gjykatën e Prizrenit dhe dy procese tjera në Gjykatën e Apelit.

Tash kur gjykimi ka hyrë në vitin e gjashtë dhe të akuzuarit po gjykohen për herë të tretë, janë parashkruar apo vjetërsuar dy vepra penale me të cilat akuzohej Nexhat Çoçaj.

Pika 1 dhe 2 e aktakuzës janë parashkruar sepse kanë kaluar 10 vite që kur dyshohet se është kryer vepra penale.

Ndërsa pika 3 e aktakuzës parashkruhet në muajin qershor të këtij viti, pasi që kjo vepër dyshohet se është kryer në muajin Maj – Qershor të vitit 2010 e që pas 4 muajsh bëhen 10 vite që kur dyshohet se është kryer kjo vepër penale.

Seanca e sotme gjyqësore ka dështuar të mbahet, pasi që ka munguar përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, e që sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit të njëjtit duhet të jenë prezent në seancat gjyqësore dhe të deklarohen se a është e dëmtuar Komuna e Prizrenit apo jo.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi që për herë të tretë po e gjykon Nexhat Çoçajn për të njëjtin rast, ka thënë se kryetari i komunës së Prizreni i ka kërkuar gjykatës që të shtyhen seancat gjyqësore që kanë të bëjnë me Komunën e Prizrenit.

“Kemi udhëzimin nga Gjykata e Apelit që Komuna duhet të merr pjesë dhe t deklarohet se a është palë e dëmtuar”, tha gjyqtarja Ajser Skenderi.

Seancat e ardhshme u caktuan për datat 10 dhe 13 mars.

Prokurori Mehdi Sefa shfaqi pakënaqësitë e tij më ecurinë e gjykimit “Nëse vazhdohet në këtë formë me shtyrje të seancave atëherë rrezikohet edhe parashkrimi i pikave tjera të aktakuzës ndaj të pandehurit Nexhat Çoçaj”, tha prokurori Sefa.

Historia e rastit:

Në qershor të vitit 2016, Gjykata e Prizrenit  e kishte shpallur fajtor Nexhat Çoçajn dhe dy të akuzuarit tjerë nën akuzat për keqpërdorim.

Çoçaj ishte dënuar me tre vjet burg efektiv, i akuzuari tjetër Bekim Thaçi me 14 muaj ndërsa i akuzuari i tretë me gjashtë muaj burg.

Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin e se gjatë procesit gjyqësor ishin paraqitur dy ekspertiza të ndryshme dhe në kundërthënie me njëra-tjetrën.

Pas rigjykimit më 19 nëntor të vitit 2018, Gjykata e Prizrenit e kishte shpallur të pafajshëm Nexhat Çoçajn dhe dy të akuzuarit e tjerë.

Përsëri në tetor të vitit 2018 Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.