Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com
Akuzohen për tregtim të paligjshëm me bagëti, u dështon seanca gjyqësore
Në gjykatën e Mitrovicës sot ishte paraparë që të filloj gjykimi ndaj të akuzuarve Amel Xherlek dhe Amid Djerlek të akuzuar për tregti të ndaluar të bagëtive. Mirëpo seanca e sotme ka dështuar të mbahet, pasi prokuroria nuk i kishte pajisur të pandehurit me shkresat e lëndës, thuhet në procesverbalin e seancës, të siguruar nga Kallxo.com.
Sipas prokurores Sojanka Kasalloviq, këto detyrime të prokurorisë nuk ishin përmbushur për shkak se mbrojtësi nuk kishte qenë i interesuar që të pajiset me shkresat e lëndës.
Se nuk janë përmbushur detyrime nga ana e prokurorisë, e kanë pohuar edhe të akuzuarit Xherlek dhe Djerlek, po ashtu edhe avokati Rexhep Kaçaniku.
Andaj Kaçaniku ka kërkuar që kjo seancë e shqyrtimit fillestar të shtyhet për një datë tjetër, me qëllim që të pandehurit dhe mbrojtësi të pajisen me shkresat e lëndës.
Gjithashtu të pandehurit kanë kërkuar që shkresat e lëndës të përkthehen në gjuhën serbe.
Andaj duke mos pasur kushte ligjore për mbajtjen e seancë, gjyqtari Gëzim Ademi e ka shtyrë këtë seancë të shqyrtimit fillestar në datë të pacaktuar, ndërsa është obliguar Prokurorja e Shtetit që të akuzuarit dhe mbrojtësin t’i pajisë me shkresat e lëndës.
Amel Xherlek dhe Amid Djerlek akuzohen se në prill të vitit 2020 te varrezat e serbëve në Mitrovicë në bashkëkryerje e pa autorizim, kanë blerë me qëllim shitjeje katër krerë bagëti të racave të ndryshme, pa dokumentacion përkatës.
Sipas akuzës, të njëjtit derisa ishin duke bartur gjedhet e blera me kamionin e tipit ‘Mercedes’ të cilin e drejtonte i pandehuri Amel Xherlek, ndërsa bashkudhëtar me të pandehurin ka qenë edhe i pandehuri Amid Djerlek, janë ndaluar nga Policia dhe me rastin e kontrollit në kamion janë gjetur gjedhet – bagëtia të cilat të njëjtat i kishin blerë me qellim që t’i shesin në Vushtrri.
Vlera e përgjithshme e mallit, sipas akuzës, sillej prej 2,886.00 euro, mall ky i cili me pastaj është sekuestruar nga Policia dhe i janë dorëzuar Doganës së Kosovës.
Të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘tregti e ndaluar’.